Konfirmohen nëntë raste me Omicron në Kosovë

26 dhjetor 2021 | 21:01

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë me dije se ka detektuar nëntë raste me variantin Omicron të koronavirsit.

Sipas njoftimit, dy raste janë të importuara nga Shtetet e Bashkuara, dy nga Londra e Mbretërisë së Bashkuar, një nga Franca dhe katër raste me variantin Omicron të detektuar janë në Komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.

“Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndojë situatën epidemiologjike”, ka njoftuar IKSHPK-ja.

IKSHPK-ja ka njoftuar se testimi u krye me kit-e shtesë që kanë pranuar përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ekspertët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se simptomat e gripit stinor dhe variantit Omicron janë të ngjashme, prandaj ata kanë kërkuar që diferencimi të bëhet përmes testeve laboratorike.

Ndërkaq, disa studime të kryera në botë kanë sugjeruar se varianti Omicron mund të jetë më i lehtë se Delta, i cili aktualisht është variant dominues në Kosovë.

Më herët gjatë dhjetorit, Kosova dërgoi mbi 70 mostra pozitive për analizim në një laborator në Gjermani për të parë nëse në to kishte prani të variantit Omicron.

Ky variant i ri i Covid-19 fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor. Që atëherë është përhapur në mbi 90 shtete të botës.

Omicroni besohet se transmetohet më shpejt se variantet paraprake, por shkencëtarët ende nuk kanë përcaktuar nëse ai shkakton sëmundje më të rëndë apo nëse shmang mbrojtjen që ofrojnë vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit.

Raste me Omicron janë regjistruar edhe në vendet e rajonit: Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi.

Për dallim nga shtetet e tjera në rajon dhe Evropë, situata epidemiologjike në Kosovë është më e qetë dhe aktualisht janë 349 raste aktive me koronavirus.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan Gazmend Çitaku Nënë Ferideja i kishte thënë: ”Ti Baro…