Konfirmohen tre boksierë të Kosovës në ‘Minsk 2019’
Ka shkuar në 12 numri i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e dyta Evropiane “Minsk 2019” që mbahen prej 21-30 qershorit në kryeqytetin e Bjellorusisë. Sot janë konfirmuar edhe tre boksierët: Shpëtim Bajoku, kategoria deri në 64 kilogramë, Patriot Behrami (-69 kg) dhe Ardit Delijaj (-81 kg).
Konfirmimi për boksierët ka ardhur pasi Unioni Evropian i Boksit (EUBC) ka vendosur që garat e boksit në “Minsk 2019” të vlejnë si kampionat evropian, njësoj si disa sporte të tjera. Nga sporti i boksit është edhe Donjeta Sadiku, e konfirmuar muaj më parë me ftesë. Më së shumti sportistë nga Kosova në Minsk do të ketë xhudoja, gjithsej pesë: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Akil Gjakova, të cilët janë kualifikuar me normë, ndërsa me ftesë janë edhe Alvin Karaqi (karate), Fatih Karabaxhaku (pingpong) dhe Ardita Zejnullahu (shigjetari).
Dy normat e konfirmuara nga organizatori për sportin e mundjes nuk do të marrin pjesë pasi Drilon Syla është i lënduar, ndërsa Egzon Shala nuk është lejuar nga Federata Evropiane e Mundjes, pasi më parë ka përfaqësuar Shqipërinë. Kosova synon të kthehet me medalje, pas të bronztës të fituar në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, me xhudisten Nora Gjakova.
Lista e sportistëve
Majlinda Kelmendi (xhudo)
Nora Gjakova (xhudo)
Distria Krasniqi (xhudo)
Loriana Kuka (xhudo)
Akil Gjakova (xhudo)
Alvin Karaqi (karate)
Fatih Karabaxhaku (pingpong)
Ardita Zejnullahu (shigjetari)
Donjeta Sadiku (boks)
Shpëtim Bajoku (boks)
Patriot Behrami (boks)
Ardit Delijaj (boks)