Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës

14 tetor 2022 | 10:49

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuarve të tjerë Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Mustafa dhe Dushi janë akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, Tahiri akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Apeli i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Fitim Mustafa, avokat Arbër Jashari, Dhurata Hoxha, avokat Florent Latifaj, Gëzim Dushi, avokate Kosovare Klemendi dhe Ekrem Tahiri, avokat Driton Muharremi, të paraqitura kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesat për hedhje të aktakuzës.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special të 27 korrikut 2022, janë refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruar nga mbrojtësit e lartcekur.

Ndërsa, kundër këtij aktvendimi brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Jashari, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, aplikimit të gabuar të dispozitave materiale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

I njëjti ka propozuar që Gjykata e Apelit ankesën ta aprovoj si të bazuar, aktvendimin e ankimuar ta ndryshoj në mënyrë që ta hedhë aktakuzën e ushtruar ndaj Mustafës.

Avokati Latifaj, për të akuzuarën Hoxha, ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike me propozim që Gjykata e Apelit ta kthej çështjen në rivendosje ose ta hedhë poshtë aktakuzën dhe të pushohet procedura penale.

Edhe avokatja Kelmendi për të akuzuar Dushi nuk i ka specifikuar shkaqet ankimore por ka propozuar që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën dhe aktakuza të hedhet si e pabazuar.

Kurse, avokati Muharremi për të akuzuarin Tahiri, ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së dispozitave materiale.

Muharremi, ka propozuar që Apeli ta aprovojë ankesën dhe ta hudhë aktakuzën ose të anulohet aktvendimi dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Ndryshe me 1 qershor, Hoxha dhe tre të akuzuarit e tjerë, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ligjvënësit në Turqi kanë miratuar një ligj të ri për…