Konfirmohet bastisja tek shtëpia e Ismail Sylës, ish-këshilltarit të Hashim Thaçit
Prokuroria e Dhomave të Specializuara po i zhvillon operacionet e bastisjes tek ish-këshilltarët e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Sot në mëngjes hetuesit e kësaj prokurorie kanë ‘zbarkuar’ në shtëpinë e Ismail Sylës.
Rasti u konfirmua për Klankosova.tv nga Christopher Bennett, këshilltar special në Zyren e Prokurorit të Specializuar.
“ZPS-ja po zhvillon operacione të vazhdueshme në Kosovë, të mbështetur nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i”, tha Bennett në një përgjigje për Klankosova.tv
Edhe gjatë dy ditëve të kaluar pati bastisje tek shtëpitë e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit.
Të hënën, ato u kryen tek shtëpitë e Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt, i cili ishte edhe shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Ndërkaq, të martën bastisje u kryen edhe tek banesa e Artan Behramit dhe prindërve të tij. Muaj më parë, pati bastisje edhe tek Adil Behramaj, i cili ishte po ashtu këshilltar i Hashim Thaçit.