Konfirmohet dënimi ndaj ish-prokurores Vahide Badivuku
Gjykata e Apelit edhe një herë ka konfirmuar dënimin ndaj Vahide Badivukut, duke e gjetur fajtore dhe duke e dënuar për marrje ryshfeti me tre vjet burgim.
Kjo është hera e tretë që Gjykata e Apelit po vendos në këtë çështje.
“Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe avokatit mbrojtës në çështjen e të akuzuarës V.B., duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 05.04.2016. Sipas këtij aktgjykimi, e akuzuara V.B. është shpallur fajtore për veprën penale: “Marrja e ryshfetit”, vepër të cilën e kishte kryer në cilësi të prokurores se shtetit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Në një njoftim po ashtu thuhet se tashmë të dënuarës i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 5.000 euro, si dhe i është ndaluar ushtrim i funksionit në Administratën Publike, ose në Shërbimin Publik, për tri vjet.
“Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit, i ka ricilësuar veprimet e dy të akuzuarve tjerë të këtij rasti I.K. dhe I.S. nga “Ushtrim ndikimi” në “Dhënie ryshfeti”.
“I pari është dënuar me një vjet burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurorja Badivuku në periudhën kohore maj – gusht 2015 në cilësinë e prokurores së krimeve të rënda në Prokurorinë e Mitrovicës për të përfituar për vete, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë “në mënyrë të tërthortë”.