Konfirmohet interesimi i Chelseat për Palmierin
Chelsea edhe zyrtarisht ka hyrë në garë për mbrojtësin e Romës, Emerson Palmieri.
Agjenti i lojtarit Fernando Garcia ka konfirmuar se tashmë kanë filluar bisedimet ndërmjet Romës dhe Chelseat, transmeton Koha.net.
Braziliani është kandidati kryesor për këtë afat kalimtar për t’u transferuar te Chelsea, pasi Juventusi nuk dëshiron ta shesë Alex Sandron për më pak se 70 milionë euro, i cili është synimi kryesor i klubit londinez.
Në anën tjetër Roma për Emersonin kërkon 30 milionë euro.
“Nuk ka ende asgjë të sigurt, jemi në një fazë të diskutimeve dhe vlerësimeve. Chelsea është një mundësi konkrete, absolutisht. Tani të dy klubet po bisedojnë, do të shohim nëse arrijnë në një përfundim pozitiv. Emerson do të donte të luante në Premier Ligë, dhe do të ishte ëndërr të punonte me Conten, ai është në mesin e trajnerëve më të mirë në botë”, është shprehur Garcia për Calciomercato.