Konfirmohet interesimi i Marseillet për Pogban

06 shkurt 2025 | 17:26

Mehdi Benatia, ish-ylli i Serie A dhe aktualisht drejtor sportiv i Marseille, ka konfirmuar se klubi francez po shqyrton mundësinë e nënshkrimit me Paul Pogba si lojtar të lirë sezonin e ardhshëm.

Pogba ndërpreu kontratën me Juventusin në nëntor të vitit të kaluar dhe do të rikthehet në fushë muajin e ardhshëm pas një pezullimi për doping.

Fillimisht, mesfushori francez u dënua me katër vite pezullim, por CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) e reduktoi dënimin në 18 muaj, duke e lejuar atë të rikthehet në futbollin profesionist nga muaji i ardhshëm.

Në muajt e fundit, Marseille është përfolur si një destinacion i mundshëm për Pogban dhe Benatia, ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Romës, e ka konfirmuar interesimin e klubit në një intervistë për L’Equipe.

Marseille konfirmon interesimin për Pogba

“Ai është një lojtar dhe një njeri që si unë, ashtu edhe presidenti Longoria e admirojmë”, tha Benatia.

“Menduam për të, donim ta realizonim këtë transferim, por a kishte kuptim të sillnim një Pogba që ende nuk ishte në formën e tij më të mirë? Rreziku ishte të prishnim ekuilibrin e ekipit me një lojtar që nuk do të arrinte formën e tij optimale deri në fund të sezonit. Megjithatë, nëse do të kemi mundësinë, do të ishim të lumtur të kishim një lojtar si Pogba që mund të na ndihmojë në sezonin e ardhshëm”.

Pogba ka zhvilluar 190 paraqitje me Juventusin, duke shënuar 34 gola. Ai u rikthye për herë të dytë në Allianz Stadium në vitin 2022, pas një transferimi të lirë nga Manchester United, por arriti të luajë vetëm 12 ndeshje me Bianconerët.

Gjatë periudhës së tij të parë në Torino, ai fitoi disa trofe, përfshirë katër tituj të Serie A, dy Kupa të Italisë dhe dy Superkupa të Italisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Saranda Musliu e…