Konfirmohet takimi në mes të shefit të AKI-së dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese
Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, e ka konfirmuar të zhvillimin e një takimi me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, të ndodhur më 31 mars 2023.
Të premten, në raportim para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ajeti e ka pranuar se është takuar me Caka-Nimanin.
Pas raportimit të tij, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, ka thënë se shefi i inteligjencës, brenda mbledhjes së komisionit, e ka mohuar t’i ketë dorëzuar kryegjyqtares kushtetuese të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë.
“Z. Ajeti e ka konfirmuar se ky takim ka ndodhur mirëpo ka thënë se në asnjë formë nuk ka të bëjë me atë se çka është raportuar në media. Qëllimi i takimit ka qenë ruajtja e kredibilitetit të sigurisë së vendit, prandaj unë mendoj se qytetarët e Kosovës duhet t’i heqin dilemat për këtë institucion”,
“Duke u bazuar në Ligjin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, e rregullon këtë çështje, në Nenin 8, pika 2”, ka thënë Musliu.
“Paparaci” kishte raportuar të dielën e kaluar për një takim të realizuar mes udhëheqësve të shefit të AKI-së me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese.
Aty, sipas informacioneve që posedonte ky medium, shefi i inteligjencës i kishte dorëzuar kryegjyqtares kushtetuese një memo me elemente të dyshuara shantazhuese për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Kryespiuni i Kosovës është kritikuar për takimin.
“Vepër penale” dhe “tërësisht të pavend” e ka cilësuar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vizitën e dyshuar të shefit të AKI-së në Gjykatën Kushtetuese.