Konfirmohet vdekja e Fethullah Gulenit, rival i Erdoganit

21 tetor 2024 | 11:25

Kleriku turk, Fethullah Gulen, ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara, ka raportuar ueb-faqja “Herkul”, që publikon predikimet e tij.

Gulen, dikur aleat i presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, ishte akuzuar për orkestrimin e grusht shtetit të dështuar në Turqi më 2016.

“Mësuesi ynë vdiq më 20 tetor 2024 në orën 21:20 në spitalin ku për një kohë po trajtohej”, ka shkruar ueb-faqja në një postim në “X” më 21 tetor, duke shtuar se mjekët e tij do të dalin me një deklaratë lidhur me këtë çështje “në orët në vijim”.

Kjo ueb-faqe nuk ka treguar se për çfarë po trajtohej Guleni. Ai kishte jetuar në mërgim në ShBA që nga viti 1999 dhe i ishte hequr shtetësia turke më 2017.

“CNN Turk” ka cituar nipin e Gulenit, i cili ka konfirmuar njoftimin e ueb-faqes “Herkul”.

Grusht shteti i dështuar kundër Erdoganit dhe qeverisë së tij ishte një pikë kthese për shteti. Afër 250 persona ishin vrarë, kur ushtarët e rebeluar rrëmbyen avionë, tanke dhe pajisje të tjera të rënda ushtarake, teksa tentuan të rrëzonin presidentin nga pushteti.

Kjo ngjarje nxiti qeverinë turke që të shpallte luftë kundër rrjetit të Gulenit, e njohur si “Hizmet”, që në shqip do të thotë shërbim, duke thënë se ai është përgjegjës për puçin, akuzë e mohuar nga Guleni.

Turqia e konsideron organizatë terroriste lëvizjen “Hizmet”. Kjo lëvizje ka ndikim dhe kryesisht është e përfshirë në aktivitete arsimore dhe promovon shoqërinë civile.

Pas puçit të dështuar, mijëra persona u arrestuan në Turqi dhe tensionet janë rritur mes Ankarasë dhe çdo shteti që kishte lidhje me Gulenin, edhe pse shumica e rrjetit të tij ka shkolla private.

Në vitet e fundit, ka pasur raportime që qytetarë turq të akuzuar për lidhje me Gulenin janë arrestuar dhe dërguar në Turqi.

Në mars të vitit 2018, Kosova kishte arrestuar dhe dëbuar gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjashtë herë kampioni olimpik i çiklizmit, Sir Chris Hoy, ka…