Konfiskohen 75 kilogramë drogë në Vushtrri dhe Bardhosh, arrestohen pesë persona

11 nëntor 2021 | 15:35

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media, në të cilën kanë njoftuar për konfiskimin e 75 kilogramëve substancë narkotike që dyshohet se është e llojit marihuanë dhe arrestimin e pesë të dyshuarve.

Droga dyshohet se ka hyrë në Kosovë nga vendet fqinje dhe ishte e destinuar për në vendet e BE-së.
Arrestimi i katër personave ka ndodhur të mërkurën, ndërsa personi i pestë i dyshuar është arrestuar të enjten.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit ndodhen në ndalim.

Në konferencën për media është bërë me dije se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar vetura, telefona dhe para të gatshme.

Reshat Murselaj nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës, ka thënë se hetimet për këtë rast kanë nisur katër muaj më parë.

“Personi me inicialet M.S., është ndaluar dje në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë por është nisur me vrull duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë. Gjatë rrugës ka aksidentuar pjesëmarrës dhe vetura tjera në komunikacion. Në ndjekje policia ka arritur ta arrestojë M.S., 55 vjeç në Dobërlluk të Vushtrrisë, pasi kishte lënë veturën dhe kishte tentuar të ikte në këmbë, duke sulmuar fizikisht policët. Në veturën e tij janë gjetur 18 paketime marihuanë (20 kilogramë), ku janë konfiskuar”, ka thënë Murselaj

Ai ka theksuar se të njëjtit i është bastisur shtëpia në Mitrovicë por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

“Më pas në Bardhosh te personi me inicialet V.B., në lokalet e shtëpisë së tij policia ka gjetur 50 paketime të mbushura me marihuanë, pas matjes ka rezultuar se janë 55 kilogramë. Po ashtu janë gjetur 193 fishekë, vetura, 6 telefona, 1 600 euro para dhe dinarë të Serbisë”, ka thënë Murselaj.

Po ashtu, ai ka treguar se janë arrestuar edhe tre persona tjerë, në mesin e tyre ka edhe persona me nënshtetësi serbe.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ftesë të homologut të tij kroat, ministri i Mbrojtjes,…