Konfiskohen mallra të falsifikuara në vlerë prej 436 mijë eurosh

03 shtator 2018 | 11:34

Në tregjet e Kosovës mund të blesh mallra tekstili, çanta dhe aksesorë të brendeve të njohura botërore “Dolce & Gabbana”, “Armani”, “Louis Vuitton”, “Gucci”, “Chanel” dhe “Prada”.

Mirëpo çmimet e tyre radhiten në çmime të mallrave të cilësisë së ulët dhe sillen nga tri euro e tutje. Sipas kategorisë së mallrave në përqindje më të lartë janë: tekstili 25 për qind, mbathje sportive 16 për qind, aksesorë dhe çanta për femra 26 për qind, preparate për përdorim personal (kozmetike dhe higjienike) 10.42 për qind, pajisjet elektronike/telefona dhe aksesorë 8 për qind dhe pije joalkoolike dhe alkoolike 7 për qind etj.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se ky institucion sa i përket luftimit dhe parandalimit të ekonomisë joformale, në fushën e mbrojtjes së pronësisë intelektuale, në vazhdimësi është përkushtuar të krijojë bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit.

Sipas tij, kjo vërehet përmes numrit të rritur të kërkesave për veprim të depozituara në Doganën e Kosovës dhe masave doganore ndaj mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.

Stavileci ka bërë me dije se për periudhën 1 janar deri më 31 korrik të këtij viti Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprime për mallrat që dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale në 330 raste, në sasi prej 171 526 copë dhe vlerë prej 2 320 564.00 euro, prej të cilave, pas konfirmimit të origjinalitetit, janë konfiskuar mallrat në sasi prej 115 612 copë dhe vlerë prej 1 878 418.00 euro.

“Nën dyshimin se shkelet e drejta e pronësisë intelektuale, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprime ndaj mallrave ku, sipas kategorisë së mallrave, në përqindje më të lartë janë mallrat: aksesorë dhe kozmetikë 42 për qind, pije joalkoolike 14 për qind, preparate higjienike 7 për qind, veshmbathje 8 për qind, produkte ushqimi 6 për qind dhe të tjera 14 për qind etj”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se për periudhën 1. 1 deri më 31. 8. 2017, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprime për mallrat që dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale në 161 raste për mallrat në sasi prej 156 049 copë dhe vlerë prej 956 175.00 eurosh, prej të cilave, pas konfirmimit të origjinalitetit, janë konfiskuar mallrat në sasi prej 74 706 copë dhe vlerë prej 436 479.00 eurosh.

“Nën dyshimin se shkelet e drejta e pronësisë intelektuale, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprime ndaj mallrave, ku sipas kategorisë së mallrave në përqindje më të lartë janë: tekstili 25 për qind, mbathje sportive 16 për qind, aksesorë dhe çanta për femra 26 për qind, preparate për përdorim personal (kozmetike dhe higjienike) 10.42 për qind, pajisjet elektronike/telefona dhe aksesorë 8 për qind dhe pije joalkoolike dhe alkoolike 7 për qind etj”, ka deklaruar Stavileci.

Kurse sa i përket natyrës së aplikimeve për patenta, sipas MTI-së, 70 për qind prej tyre i përkasin fushës së farmaceutike dhe të tjerat janë teknike. Sa iu përket markave tregtare, sipas MTI-së, deri në korrik të vitit 2018 ishin 1 004 aplikime, ndërkaq në vitin 2017 ishin 1 575 aplikime. “Deri në korrik të këtij viti numri i aplikimeve për patenta ishte 12, kurse aplikimet në vitin 2017 ishin 33”, është thënë në përgjigjen e zyrës për informim në MTI dhënë gazetës “Epoka e re”.

Kurse sa i përket natyrës së aplikimeve për patenta, sipas MTI-së, 70 për qind të tyre nga këto vite raportuese janë të fushës farmaceutike dhe të tjerat janë teknike.

“Për patentat nuk ka asnjë kundërshtim gjatë vitit 2017 dhe 2018. Për markat tregtare, Agjencia gjatë vitit 2017 ka pranuar 87 kundërshtime për markat e publikuara, ndërsa gjatë vitit 2018 ka pranuar 36 kundërshtime të markave tregtare. Agjencia për Pronësi Industriale ka mandat për zhvillimin e procedurave për regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale. Realizimi i të drejtave të dhëna nga vendimi për regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale janë në kompetencë të organeve zbatuese, si Policia, Dogana, Inspektorati, Gjykatat”, është thënë në përgjigjën e MTI-së.

Ndërkaq drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejta të Tjera të Përafërta, Valon Kashtanjeva, ka thënë se nëse bazohemi në paditë në Gjykatën Themelore, mund të thuhet se ligji është duke u zbatuar, por nëse u referohemi informacioneve nga terreni, është e vërtetë se ka ende shkelje të të drejtave të autorit.

“Pronësia intelektuale, përkatësisht e drejta e autorit, gjithnjë e më tepër po tregohet si faktor ndikues në ekonominë e tregut dhe zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj respektimi dhe zbatimi i drejtës së autorit është tejet me rëndësi. Përveç zhvillimit ekonomik, zbatimi i drejtës së autorit ndikon në stimulimin e krijimtarisë kulturore dhe kreative. Kur jemi te zbatimi i ligjit për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, në aspekt të zbatimit është më e vështirë të merren informacione sesa është niveli i zbatimit, ajo që mund të thuhet është se nëse marrim për bazë numrin e padive të cilat janë parashtruar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, mund të themi se numri i shkeljeve është i vogël pasi ka shumë pak padi të ngritura”, ka thënë Kashtanjeva për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka shtuar se nëse marrim për bazë informacionet nga terreni, ka ende shkelje të të drejtave të autorit por, sipas tij, me rëndësi është se Inspektorati i Tregut ka vazhduar të marrë masa apo mbikëqyrje inspektuese, ashtu edhe Policia e Kosovës, aktivitete këto të cilat janë koordinuar në kuadër të Task Forcës kundër piraterisë. “Ka pasur në tre vjetët e fundit me mijëra kopje të materialeve pirate të sekuestruara dhe për subjektet të cilët janë gjetur duke shkelur të drejtën e autorit janë shqiptuar gjoba nga ana e inspektoratit të tregut”, është shprehur Kashtanjeva.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina u ka bllokuar shtetasve të saj qasjen në faqen…