Konfiskohen mbi 1 700 monedha dyshe false, u deponuan në bankomatet e bankës TEB
Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend.
Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ka njoftuar se në bankomate të ndryshme të bankës TEB janë deponuar mbi 1 700 euro, të gjitha dyshe, që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Paratë që dyshohet se janë deponuar në periudha të ndryshme, janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.