Konfiskohet një motobarkë – dyshohet se ishte e Radoiçiqit
Policia e Kosovës ka konfirmuar sonte se ka konfiskuar një motobarkë në pronësi të Millan Radoiçiqit, i cili dyshohet për përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, shkruan Reporteri.net.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, e konfirmoi këtë për Gazetën Online Reporteri.net, duke njoftuar se bastisja u bë në Zveçan.
“Sot gjatë ditës policia ka kryer një bastisje në Zveçan me ç’rast ka konfiskuar një motobarkë (skaf) që dyshohet të jetë pronë e Milan Radoiçiqit, i cili njëherësh është i dyshimtë për involvim në rastin Banjska”, tha Elshani.
Në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar Radoiçiqin, bashkë me Zvonko Vesellinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.
Në dhjetor të vitit 2021, SHBA-ja po ashtu ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe kompanive që i ka konsideruar përgjegjëse për korrupsion dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në mesin e tyre ka qenë edhe Radulle Steviq dhe kompanitë e tij nën sistemin serb dhe atë të Kosovës.
Sulmi në Banjskë nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
BE-ja tha se Kosova ka mandat ta hetojë sulmin në Banjskë, ndërsa nga Serbia kërkoi që të bashkëpunojë pa kushte.