Konfiteori i artistit

11 nëntor 2024 | 15:22

Sharl Bodëler

Konfiteori i artistit[1]

Sa depërtuese janë fundet e ditëve të vjeshtës! Ah! Depërtojnë thellë deri sa e ndjen dhembjen! Të ngjallin ndjenja të këndshme që s’e merr vesh nga burojnë, por që janë shumë të fuqishme. E nuk ka majë më të mprehtë për të të shpuar se ajo e Pafundësisë[2]!

Sa kënaqësi e madhe është ta zhytësh vështrimin në detin dhe qiellin e pafund!

Vetmi, qetësi, dëlirësi e pakrahasueshme e kaltërsisë.

Vela e vogël që dridhet në horizont dhe që me vogël­sinë e vetminë e saj imiton ekzistencën time të pandre­qshme, apo melodia monotone e valëve të detit janë gjëra që mendojnë nëpërmjet meje ose, ndoshta, unë mendoj nëpërmjet tyre (sepse në madhështinë e ëndë­rrimit, uni humbet shpejt). Ato mendojnë, sipas meje, në mënyrë muzikore, piktoreske, pa kotësi, pa fjalë të tepërta, pa joshje.

Gjithsesi, këto mendime që dalin nga unë apo që çli­rohen nga gjërat që më rrethojnë, bëhen shpejt fuqi­plota. Energjia që buron nga ëndja krijon në shpirt një gjendje të turbullt dhe një vuajtje pozitive. Nervat e mia të tendosura tej mase nuk prodhojnë gjë tjetër veçse vibracione ulëritëse dhe të dhimbshme.

Thellësia e qiellit papritmas më shtang; kthjelltësia e tij më acaron, pandjeshmëria e detit dhe pandryshue­shmëria e spektaklit më revoltojnë.

Ç’duhet të bëj, të vuaj përjetësisht apo t’i largohem përjetësisht së bukurës?

Natyrë, magjistare e pamëshirshme, rivale që fiton gjithmonë, lërmë të qetë! Mjaft tundove dëshirat dhe krenarinë time!

Studimi i së bukurës është si një dyluftim ku artisti ulërin me tmerr para se ta pranojë përfundimisht hum­bjen.

[1] Nga latinishtja confiteor: Pranoj mëkatet. Fjalët e para të formulës së rrëfimit në fenë katolike.

[2] Bodëler e shkruan fjalën pafundësi me germë të madhe sepse e konsi­deron atë si një emër të përveçëm, si diçka që ekziston konkretisht dhe jo si një koncept të përgjithshëm abstrakt. Ai bën të njëjtën gjë edhe për kohën dhe jetën në poemën “Dhoma me dy fytyra”, për mospërfilljen te poema “Secili Kimerën e vet” apo për mërzitjen te “Një vdekje heroike”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Poezi e fatit të rëndë, e fatkeqësive që nuk marrin…