Konfliktet, ndryshimet klimatike dhe IA janë temat kryesore të liderëve botërorë në Davos
Toka po ngrohet, njëlloj si po ndizet edhe konflikti në Lindjen e Mesme. Ekonomia botërore dhe mbrojtja e Ukrainës kundër Rusisë po çalojnë. Inteligjenca Artificiale (IA) mund ta përmbysë jetën tonë.
Lista e prioriteteve globale është rritur për edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror, ku në Davos të Zvicrës do të mblidhen elitat e politikës dhe biznesit, si dhe të fushave të tjera. Forumi do të nisë të hënën dhe do të mbarojë të premten, raporton Rel.
Mbi 60 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të shkojnë në qytetin e Alpeve zvicerane për bisedime me dyer të mbyllura dhe për paraqitje publike. Ata do të jenë në mesin e mbi 2.800 pjesëmarrësve, përfshirë akademikë, artistë dhe liderë të organizatave ndërkombëtare.
Tema kryesore të tubimit do të jenë kryesisht inovacionet në biznes, synimet për arritje të paqes dhe për bashkëpunim rreth sigurisë dhe për përmirësime jetike në shëndetësi.
Ky forum cilësohet vazhdimisht nga kritiket edhe si një simbol i dallimit të madh mes të të pasurve dhe të varfërve. Socialistët e rinj zviceranë protestuan të dielën duke i kritikuar pjesëmarrësit dhe vetë forumin si “më të pasurit dhe më të fuqishmit, të cilët janë përgjegjës për krizat dhe luftërat e sotme”.
“Është e lehtë të tallesh me Davosin. Por, në këtë kohë, është e vështirë t’i bashkosh njerëzit për bisedime në një dhomë për çështjet e përbashkëta globale dhe vlera e bisedimeve ballë për ballë është shumë e vërtetë, siç ka treguar edhe pandemia e COVID-19”, tha Bronwen Maddox, drejtor i Chatham House, Institutit për Çështje Ndërkombëtare me bazë në Londër.
Kurti dhe Vuçiq në Davos
Në Davos do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi zyra e tij të hënën, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të jetë i pranishëm po ashtu. Ai tha se do të ketë takime të shumta bilaterale.
Në Davos është edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.