Konflikti familjar çoi në vrasjen e Anton Prelës, i dyshuari është dhëndri i tij
Klina u trondit sot nga vrasja që ndodhi në lokalin Coyote Lounge Bar, ku një person u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë vdiq.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se ndjeri Anton Prela po dyshohet se u vra nga Tush Frrokaj, i cili tashmë po kërkohet nga Policia.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se viktima ka qenë mërgimtar dhe ka pasur lidhje familjare me të dyshuarin.
Në bazë të informacioneve të para, Frrokaj ishte dhëndri i të ndjerit Prela dhe motivi që çoi në vrasjen e tij dyshohet se lidhet me disa konflikte familjare.
Një gjë e tillë pritet të konfirmohet gjatë hetimeve nga organet e rendit, me ç’rast do të zbardhen në plotni të gjitha rrethanat e rastit
Ndryshe, Sinjali raportoi se i dyshuari ka arritur që të ikë nga vendi i ngjarjes, por teksa po kërkohej nga Policia, ai ka kryer një vepër tjetër.
Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, Frrokaj ka grabitur një veturë në mes të rrugës, duke e kërcënuar shoferin dhe me të njëjtin automjet është arratisur.
Njësitet policore tashmë janë aktivizuar dhe janë vënë në ndjekje të tij.