Konfuziteti rreth Asociacionit
Burim Ramadani, analist i sigurisë, në një opinion shkruar për “Epokën e re” për numrin festiv 2024, ka theksuar se i tërë debati gjatë vitit 2023 në Kosovë ishte i ndërlidhur në dy tema: siguria në veri dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tij, që të dy temat as nuk u definuan mirë dhe as nuk u zgjidhën deri në fund të vitit.
“Tema e sigurisë mbetet shqetësim, ndërsa tema e Asociacionit mbetet konfuzitet pothuajse i plotë. Opinioni publik i Kosovës, më 11 nëntor 2023, për herë të parë pati mundësi të lexojë saktë se çfarë Statuti të Asociacionit ishte hartuar nga ndërmjetësit. Nuk u mohua vërtetësia e publikimit sepse do të ishte marrëzi të mohohej. Por, as nuk u avancua dhe as qartësua pozicioni i institucioneve shtetërore të Kosovës. Të paktën, jo për publikun. Tashmë konfuziteti nuk mbetet nëse është pranuar apo jo Drafti. Konfuzioni mbetet te rruga përpara që do të ndiqet dhe nëse kjo rrugë do të funksionalizohet para apo pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që pritet të mbahen gjatë vitit 2024 në Kosovë. Institucionalisht, Drafti i dorëzuar nga ndërmjetësit duhet të përcillet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Por, a do të japë opinionin e vet Gjykata Kushtetuese apo do ta konstatojë papranueshmërinë e trajtimit duke u thirrur në aktgjykimin e vitit 2015?”, ka shkruar Ramadani.
Ai beson se Gjykata Kushtetuese do të duhej ta trajtojë plotësisht Draftin. “Po, po, ky drafti që kam publikuar më 11 nëntor është. Vetëm Gjykata Kushtetuese do të mund të zhbëjë disa pjesë serioze të atij dokumenti që, në thelb, ndikon në ndryshime radikale brenda Kosovës, kryesisht në ndarjen reale të komunitetit serb si i tërë nga sistemi juridik e politik i Kosovës. Në këtë rast, Statuti i Asociacionit do të ridraftohej në përputhje me kornizën kushtetuese që ekziston në Kosovë. Në rastin e kundërt, pra nëse Gjykata Kushtetuese refuzon ta trajtojë Statutin e Asociacionit duke u thirrur në Aktgjykimin e vitit 2015, atëherë Kosova do të sillet në të njëjtin rreth vicioz edhe për, ndoshta, 10 vjet të ardhshme! Sepse në atë situatë Asociacioni do të mbetej plotësisht çështje politike dhe, si e tillë, do ta ndante e përçante edhe më keq shoqërinë e Kosovës”, ka shkruar ai.
Ramadani ka theksuar tutje se kështu, bazuar në fushat dhe temat e lartpërmendura, domsdoshmërisht Kosova ka nevojë për vendimmarrje racionale dhe të unifikuar të institucioneve, spektrit politik, shoqërisë civile, ekspertëve dhe medieve. “Pra, një unitet veprues dhe jo veprime përçarëse sikurse kemi parë gjatë vitit 2023”, ka shkruar Ramadani.
Kosova ka nevojë për garanci sigurie – Epoka e Re