Kongo do të nisë vaksiminet kundër virusit Ebola
20 maj 2018
| 15:32
Punëtorët shëndetësorë në Republikën Demokratike të Kongos do të nisin të hënën fushatën e vaksimit, pas shqetësimit se mund të ketë shpërthim të virusit Ebola, ka njoftuar zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë.
Zëdhënësja Jessica Ilunga, ka thënë se 4 mijë doza të vaksinave janë dërguar në qytetin Mbandaka, ku javën e kaluar janë regjistruar rastet e para me virusin Ebola.
Rastet me Ebola në Mbandaka kanë rritur shqetësimet se virusi mund të përhapet edhe në kryeqytetin Kinshasa, ku jetojnë 10 milionë banorë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dërguar 7 540 doza të vaksinave në Kongo.
Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se shtetet partnere kanë premtuar se do të dërgojnë në total 300 mijë vaksina kundër virusit Ebola.