Kongresi i 10-të i Partisë së Punës së Shqipërisë kishte përfaqësues edhe nga Kosova

05 shtator 2023 | 15:46

Faton B.Mehmetaj

Partia e Punës së Shqipërisë ishte pasardhëse e Partisë Komuniste të Shqipërisëqë ishte njëkohësisht edhe partia udhëheqëse e Shqipërisë nga vitet 1948-1991, si dhe e vetmja parti e ligjshme. Partia Komuniste e Shqipërisë u themelua me këtë emërtim më 8 nëntor të vitit 1941 me bashkimin e grupeve komuniste të cilët deri në atë kohë luftonin të veçuar nga njëri-tjetri. Siç dihet njëri prej iniciatorëve të koordinimit për bashkimin e grupeve komuniste në Shqipëri ishte malazezi Milladin Popoviqi i cili është vlerësuar si personalitet pro shqiptar nga një grup i historianëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por ka edhe mjaft historian në Kosovë dhe Shqipëri që figurën e Milladin Popoviqit e qesin si figurë kontroverse dhe që i ka tradhtuar interesat shqiptare.

Milladini ishte përkrahësi i Enverit dhe i vetmi jugosllav që i besoi kreu komunist shqiptar edhe pse ishte ndër iniciatorët kryesor të prishjes së marrëveshjes së Mukjës, por edhe i rezultateve të konferencës së Bujanit, i ndihmuar nga Titoja dhe Rankoviqi dhe nga rrjeti i komunistëve shqiptarë që kishin orjentim pro-jugosllav e kishin lënë Kosovën për herë të dytë jashtë kufijve të Shqipërisë, akt ky që u cilësua nga strukturat përparimtare të kohës si tradhti kombëtare.

Kjo ishte arsyeja pse u vra Milladin Popoviqi më 13 mars të vitit 1945 në Prishtinë nga Haki Taha person me ndikim tek krerët e organizatave dhe grupeve që nuk ishin të kënaqura me veprimtarinë e Partisë Komuniste në Shqipëri dhe Kosovë të cilët e kishin përanditur planin në bashkëpunim me Aleksandër Rankoviqin, Dushan Mugoshën, Spasoje Gjakoviqin, Svetozar Markoviq-Tempon, Milladin Popoviqin, Millovan Gjillasi, Petar Brajeviqin etj, që Kosva të mbetet nënë Serbi e Shqipëria të bëhet njësia e 7 e Federatës Jugosllave.

Sidoqoftë Partisë Komuniste të Shqipërisë për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, ishte e dominuar nga Sekretari i saj i Parë, Enver Hoxha, i cili ishte edhe drejtuesi de fakto i Shqipërisë dhe sundoj për 45 vite në Shqipëri. Emri iu ndryshua nga PKSH-ja në PPSH më 1948 në Kongresin e I-rë, ndërsa pas 1991 në Kongresin e X të PPSH i mbajtur në qershor 1991 u vendos ndryshimi i emrit nga PPSH në Parti Socialiste (PS). Nga disa, Kongresi i 10-të është quajtur kongresi i rinovimit. Sekretari i parë i PPSH, Ramiz Alia, dha dorëheqje nga ky post pasi u zgjodh president i vendit në zgjedhjet e 31 marsit. Pas përfundimit të Kongresit të 10-të dhe ndryshimit të emrit në Parti Socialiste, në Shqipëri filloj të lindë një forcë e re politike.

Ftesa për pjesëmarrje në Kongresin e 10-të të PPSH-së

Rrethanat politiko-shoqërore para se te mbahej Kongresi i 10-të i PPSH-së

Rrethanat politiko shoqërore para se te mbahej Kongresi i 10-të i PPSH-së ishin shumë të ndërlikuara jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon. Në shumë vende të bllokut komunist dhe në Evropën Lindore, vëreheshin shenjat e rënjës së sistemit komunist në këto vende. Muri i Berlinit kishte rënë. Poashtu në këtë kohë Nikolla Çaushesku, presidenti i Rumanisë u ekzekutua gjatë protestave të Revolucionit në Rumani të vitit 1989. Kudo kishte trazira. Ekonomia kishte rënë gati në pikën zero. Si kudo në këto vende edhe në Shqipëri rënia e komunizmit filloi në dhjetor të vitit 1990. Madje qysh në vitin 1989 në Shkodër kishin filluar revoltat e para qytetare, turmat në protesta e shkatërruan statujën e Stalinit. Protestat u përhapën edhe në qytete të tjera të Shqipërisë si në; Tiranë, Kavajë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë etj. Më 20 shkurt 1991 protestuesit rrëzuan bustin e Enver Hoxhës. Në vitin 1998 Shqipëria ratifikoi kushtetutën e parë post-komuniste.

Pastaj Ramiz Alia firmosi Marrëveshjen e Helsinkit që e detyronte shtetin shqiptar të respektonte të drejtat e njeriut, të cilat ishin shpërfillur totalisht gjatë diktaturës komuniste. Me 2 korrik 1990, me mijëra të rinj u futen në ambasadat perëndimore, për të fituar strehim politik për një jetë më të mirë. Pas kësaj mbi 20.000 shqiptarë u larguan përmes mjeteve ujore dhe ky ishte emigrimi masiv më i madh i shqiptarëve që njihej në shumë periudha historike. Policia kufitare vret shumë të rinj shqiptarë që po arratiseshin drejt perëndimit. Edhe pas protestave dhe rebelimeve të shumta, mbahen zgjedhjet e para pluraliste me 31 mars të vitit 1991 ku Ramiz Alia dhe partia komuniste me shumë manipulime sërish zgjedhet, sepse Kodi Zgjedhor dukshëm favorizonte PPSH.

Në dhjetor të vitit 1990, Ramiz Alia nën presionin e studentëve u detyrua të lejonte krijimin e forcave politike të pavarura, duke shënjuar kështu fundin e monopolit të Partisë Komuniste. Në fillim të dhjetorit të vitit 1990 Studentët e Universitetit të Tiranës formuan Partinë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas afro 50 vitesh. Për qudi, udhëheqësi kryesorë i kësaj partie ishte Sali Berisha i cili në periudhën e komunizmit një kohë ishte si sekretar i Partisë komuniste por qe pas rëniës së komunizmit u printe reformave dhe idesë së përhapjes së pluralizmit politik, pastaj Azem Hajdari, Genc Pollo, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko etj. Partia e re bazohet mbi idealet e “Demokracisë, Lirisë, Pluralizmit dhe Tregut të Lirë”. Sikurse në Shqipëri vala e ndryshimeve kishte përfshirë edhe Kosovën. Masat e gjëra duke përfshirë edhe udhëheqës të lartë politik të kohës i dorëzuan librezat komuniste të partisë (libreza këto që për shumë kë ishin të barasvlershme me karrierë por edhe me jetën e tyre), me 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjëra, duke u përhapur anembanë vendit. Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare.

Hasmëritë disavjeçare morën fund. Tubimi në Verrat e Llukës do të mbetet si momenti  i bashkimit më të madh të shqiptarëve të Kosovës. Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë. Vëreheshin filet e shpërbërjes së Jugosllavisë. Grupet e rinisë së bashku me patriotët shqiptarë që kishin punuar me breza kundër Jugosllavisë përgatiteshin për ta goditur sistemin e Millosheviqit i cili bënte zullum në popujt e Jugosllavisë e veçanërisht në Kosovë. Intelegjenca përparimtare e Kosovës kishte përpiluar platformën e cila qëllim të vetëm parashihte progresin e Atdheut. Në vitin 1991 Forumi Rinor i Deçanit apeloi publikisht për bojkotimin e Armatës Jugosllave, apeli mori përmasa në gjithë Kosovën dhe rinia e bojkotoj shkuarjen në Ushtrinë e asaj kohe.

Në pranverën e vitit 1990 Serbia përdori gazrat toksike për helmimin e të rinjve shqiptarë në Kosovë, helme këto që rezultuan të jenë  veprime të kryera në kuadër të një doktrine për shfarosjen e shqiptarëve, e përgaditur dhe zbatuar nga shërbimi sekret ushtarak serb. Në vitin 1991 Kosova qeverisej nga dy qeveri paralele, nga Qeveria pushtuese, që mbështetej në ushtri e polici, e cila i kishte uzurpuar edhe ndërtesat publike, mblidhte taksa, plaçkiste e çka nuk bënte mbi popullin shqiptar, dhe qeveria tjetër që ishte zgjedhur nga populli i Republikës së Kosovës, e cila dha kontribut në ruajtjen e kontinuitetit dhe unifikimit të popullit deri në fitore të plotë, me 2 korrik 1990, ku delegatët e Kuvendit miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me anë të së cilës Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Në këtë periudhë Kosova ndodhej në një fazë të re, nga institucionet e pushtetit shtetëror të Kosovës, kërkohej njohja e pavarësisë, ndërsa nga faktori ndërkombëtare kërkohej që të bisedohej për status.

Po ashtu në vitin 1991 Kosova shpalli referendumin për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur. Referendumi vërtetoi dhe legjitimoi Deklaratën e 2 korrikut 1990 dhe shpalljen e pavarësisë së 7 shtatorit 1990. Rreth 90% e qytetarëve të Kosovës votuan “Për” Kosovën shtet të pavarur. Në këto rrethana politiko-shoqërore që ishin krijuar në atë kohë, u bë e qartë se liria do të sigurohej vetëm me luftën e armatosur për çlirimin e Kosovës. Jugosllavia kishte filluar të shpërbëhet si rezultat i trazirave dhe konflikteve politike gjatë fillimit të viteve 1980 që zgjaten deri në shkatërrimin e Jugosllavisë. Në vitin 1987, Sllobodan Millosheviçi erdhi në pushtet në Serbi, dhe përmes një sërë lëvizjesh populiste, duke e përdorur aparatin shtetërorë që shkaktoj dhunë e terror, mori kontrollin de facto mbi Kosovën, Vojvodinën dhe Malin e Zi, duke fituar mbështetjejen e serbëve dhe pak të popullatës jo serbe nga këto vende për zbatimin e politikave të tij qendrore, me qëllim që t’i mbërrinte politikat e tij për ta zbatuar projektin e Serbisë së Madhe (të gjithë serbët duhet të jetojnë në një territor). Republikat përbërëse të Jugosllavisë u ndanë në mes të shpërthimit të Luftërave Jugosllave, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi formuan Republikën Federale të Jugosllavisë. Millosheviqi luajti një rol të madh në luftëra, dhe në emër të serbëve të Bosnjës negocioi Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund Luftës së Bosnjës në vitin 1995.

Gjatë mbretërimit të tij u zhvilluan protesta të shumta kundër qeverisë dhe kundër luftës, ndërsa vlerësohet gjithashtu se ndërmjet 50.000 dhe 200.000 njerëz dezertuan nga Ushtria Popullore Jugosllave e kontrolluar nga Millosheviqi, dhe se midis 100.000 dhe 150.000 njerëz emigruan nga Serbia, duke refuzuar të marrin pjesë në luftëra. Në atë periudhë Milosheviçi u atakua (përplas) me opozitën dhe krerët e partive të republikave të Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat kishin orientim perëndimore. Ata e mbështeten demokratizimin e vendit në përputhje me parimet e Revolucionit të vitit 1989 që ndodhën në Evropën Lindore. Kjo ndodhi që Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë të shpërndahet në janar të vitit 1990 përgjatë vijave federale. Organizatat komuniste republikane u shndërruan në partitë të ndara socialiste.

Në këtë kohë kudo kishte trazira, më 28 mars të vitit 1989, organet e sigurimit shtetëror të asaj kohe shqiptaro-serbe kidnapuan mbi 200 shqiptar, intelektual dhe figura eminente të Kosovës. Askush nuk dinte për fatin e tyre, më vonë u mur vesh se ata i kanë dërguar në izolim në burgun e Leskovcit, të Vranjës, Zajeçarit etj. Në këtë kohë ishte vendosur edhe gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë. Intelektualët e Kosovës nënshkruan apelin e 215 intelektualëve  kosovar si, reagim ndaj rrezikut të rrënimit të Autonomisë së Kosovës. Keqësimi i gjendjes në ish-Jugosllavi më 1991 reflektoj shumë edhe në Kosovë. Për tetë ditë, nga 28 shkurt 1989, mbi 1300 minatorë grevistë të Trepçës, Xeherores së Stantërgut u futën në grevë në horizontin e tetë, rreth një mijë metra nën tokë.

Kjo grevë mori përmasa të mëdha politike, e cila ato ditë u shndërrua në një lëvizje që e zgjoj gjithë popullin në këmb duke ja dridh themelet Jugosllavisë. Po ashtu në vitin 1991 nga një grup intelektualësh të lartë nga Shqipëria dhe Kosova e dhanë idenë për pajtim kombëtar. Në mbështetje të Kosovës ka fundi i qershorit 1991 mbi 400 intelektual nga Tirana dhe rrethet tjera e kishin bërë një kërkesë drejtuar Kuvendit Popullor përmes një peticioni që të njihet sovraniteti i Kuvendit të Kosovës dhe akti i Shpalljes së Republikës së Kosovës.

Kërkesa e mbi 324 intelektualëve të Tiranës dhe të disa rretheve drejtuar Kuvendit Popullor për njohjen e sovranitetit të Kuvendit të Kosovës

Pas një periudhe krizash politike në këto vite, republikat përbërëse të; Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë u ndanë, por çështjet e pazgjidhura shkaktuan luftëra të hidhura ndëretnike në territorin e Jugosllavisë. Luftërat kryesisht prekën Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kroacinë. Midis qershorit 1991 dhe prillit të vitit 1992, katër republika shpallën pavarësinë e tyre (vetëm Serbia dhe Mali i Zi mbetën në Konfederatën Serbi-Mal i Zi, e që më vonë edhe Mali i Zi do të ndahet nga Serbia, duke e shpallur pavarësinë si shtet më vehte). Edhe pas kësaj statusi i serbëve etnikë jashtë Serbisë, Malit të Zi dhe kroatëve etnikë jashtë Kroacisë, mbetën të pazgjidhura.

Sikurse republikat tjera, edhe Kosova u pavarësua me luftë të armatosur nënë udhëheqjen e UÇK-së. Në mungesë të një strategjie dhe të unifikimit të spektrit politik kosovarë, Kosova edhe pse e pavarësuar në vitin 2008, ende ka probleme rreth definimit të statusit dhe shumë çështjeve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat po mbahen si çështje aktuale përmes dialogut dhe bisedimeve Kosovë-Serbi.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në Kongresin e 10-të të PPSH-së

Në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë që u mbajtur në qershor 1991 ku edhe u vendos ndryshimi i emrit nga PPSH në Parti Socialiste (PS), vendim ky që i hapi rrugën, një epoke të re ku në Shqipëri filloj të lindë një forcë e re politike.

Faton B.Mehmetaj dhe Isuf B.Bajrami në Kongresin e 10-të të PPSH-së

Në Kongresin e 10-të nga Kosova morën pjesë: Faton Bajram Mehmetaj nga Pozhari i Deçanit dhe Isuf Bali Bajrami nga Velekinca e Gjilanit me vendbanim të përhershëm në Gjilan, udhëtuam nga Gjilani, pikërisht nga familja e Xhevat Sahitit për në Stubëll të Rekës së Keqe, fshat afër kufirit me Shqipërinë. Aty jemi ndalë në familjen e Xhevdet Sadrisë i cili po ashtu ishte pjesëtar i ilegales dhe ishim në kontakt më të edhe më heret. Xhevdeti na ka përcjellë deri në kufi së bashku më Isuf Adem Sadrinë po ashtu nga Stublla, madje shumë në brendi të territorit të Shqipërisë dhe kemi vazhduar së bashku me Isuf Bajramin deri në Tropojë ku kemi qëndruar një natë dhe të nesërmen nga aty kemi udhëtuar për në Bajram Curr. Kur arritëm në Bajram Curr u bashkuam me deputetët e Tropojës, Hasit, Kukësit, Bajram Currit etj, dhe udhëtuam së bashku me ta për në Tiranë në Kongresin e 10-të të PPSH-së. Kongresi u mbajt më 12 qershor të vitit 1991 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Ishim të pajisur me dokumentacione përkatëse, leje qëndrimi, ftesa për të marrë pjesë në Kongres dhe ishin marrë masat për sigurinë tonë gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri. Ishim të ftuar zyrtarisht dhe e përfaqësonim Kosovën në këtë Kongres. Edhe para se të mbahej Kongresi ishim në kontakte të përhershme me kreun e shtetit shqiptar, me Ramiz Alinë, Haxhi Lleshin, Shaban Brahen, Sulo Gradecin, Ramazan Mesitin, Gramos Ruçin, Remzi Demajn, Sokol Pezën, etj.

Fjalën kryesore e mbajti Xhelil Xhoni, kurse drejtues i punimeve të Kongresit ishte Gramoz Ruçi. Gjatë punimeve një pikë më rendësi e Kongresit ishte ndërrimi i emrit, këtu pati përplasje të mëdha midis deputetëve por pasi që u hodh në votim kaloj propozimi që emri i Partisë së Punës së Shqipërisë të emërohet Partia Socialiste. Kryetar i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë u zgjodh Fatos Nano. Pos tjerëve Dritëro Agolli hodhi kritika të ashpra dhe mjaft të arsyeshme mbi punën shumëvjeçare të Partisë së Punës së Shqipërisë. Për kureshtje, gjatë punimeve të Kongresit në kohën e pauzave e takuam edhe Dritëro Agollin i cili na sugjeroj dhe na dha disa udhëzime mjaft të dobishme se si të veprohet me Kosovën dhe me popullatën shqiptare që kishte mbetur jashtë trungut amë.

Në Kongresin e 10-të të PPSH-së me kërkesën tonë të mbështetur edhe nga deputetet e Tropojës, Bajram Currit, Kukësit, Hasit dhe disa personaliteteve me ndikim siç ishin, Sylo Gradeci, Gramoz Ruçin, Sokol Peza, Gjelil Gjoni, Musa Ulqini, Haxhi Lleshit, Zenel Neza deputet i Bajram Currit në Kongresit të 10-të të PPSH-së etj, u miratua Rezoluta për Kosovën, tekstin e kësaj rezolute e lexoi para të pranishmëve Mehmet Elezi. Kongresi e miratoj Rezolutën për Kosovën, që Shqipëria ta njeh Republikën e Kosovës, dhe ti njih të drejta shqiptarëve jashtë trungut amë, si dhe të drejtën e referendumit për tu bashkuar me Shqipërinë. Rezoluta implikonte shtetin shqiptar dhe ushtrinë shqiptare për ti dalë zot Kosovës në mënyrë të armatosur, në rast lufte apo të ndërhyrjes ushtarake të Serbisë në Kosovë. Rezoluta bëri bujë të madhe.

Rezoluta për Kosovën që u miratua në Kongresin e 10-të të PPSH-së

Rezoluta për Kosovën që ishte miratuar në Kongresin e 10 të PPSH-së, në bazë të së cilës Xhelil Xhoni propozon një Rezolutë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për njohjen e Republikës së Kosovës dhe Kushtetutën e Kaçanikut. Kjo Rezolutë u miratua në Kuvendë, por më vonë është shfuqizuar pasi ka ardhur Sali Berisha në pushtet! Sali Berisha nuk e ka njohtë rezolutën që është miratuar në Kongresin e 10 të PPSh-së dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë!

Pas përfundimit të punimeve të Kongresit, patëm disa takime me intelektualë si Dr. Razi Brahimi, Dritëro Agollin, etj. Gjatë kthimit për në Kosovë, u vendosem në banesën e Zenel Nezës në Bajram Currë. Duhet cekur se me familjen e Zenel Nezës kishim miqësi familjare qysh në kohën e Ali Ibrës dhe e kishim vazhduar miqësinë më këtë familje deri në vitet 1987 kur Cyme Mehmetaj ishte martuar më Skënderin djalin e Elez Ali Brahës të familjes Nezaj etj. Aty pushuam dy netë dhe përmes ndihmës që na dha Zenel Neza dhe Halil Haklajt, i cili ishte së bashku me neve në Kongres, ata biseduan më Fatmir Haklaj i cili së bashku më një shoqërues të vetin na përcjelli deri afër kufirit me Kosovë. Me Fatmir Haklajn dhe Zenel Nezajn kemi mbajtë kontakte të vazhdueshme deri në fillimin e luftës frontale në Kosovë.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve Ramiz Alia i cili në atë kohë ishte president i Shqipërisë, kuptohet duke e pasë për bazë edhe Rezolutën për Kosovën që ishte miratuar në Kongresin e 10-të të PPSH-së, kishte marrë vendim për ti lejuar përgatitjet e grupeve guerile nga Kosova në Shqipëri.

Pas pjesëmarrjes në Kongresin e 10-të të PPSH-së, përmes kontakteve dhe bisedave me disa përfaqësues të veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare të Shqipërisë të cilët kishin ndikim të madh për kohën, arritëm ta fitojmë përkrahjen e organizatës së tyre të cilët na mbështetën në mjaft projekte dhe aksione në përkrahje të Kosovës. Për të kaluar në organizimin e armatosur kanë ndikuar shumë faktor, por njëri prej tyre ishte më relevant. Akademikët e Shkencave të Serbisë kishin përpiluar disa memorandume e platforma politike për ta mbajtur nën ombrellën e Serbisë Kosovën dhe viset tjera shqiptare që kishin mbetur nënë Jugosllavi. Por Memorandumi i fundit i kësaj akademie, ishte ai i vitit 1986, i cili në të vërtetë përfaqësonte një version të sintetizuar të të gjitha projekteve të mëparshme për spastrimin etnik (përmes krimeve, gjenocidit e spastrimit etnik) të hapësirave shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Sanxhak, Kosovë Lindore etj, vende këto që kishin mbetur jashtë trungut amë përmes disa vendimeve të fuqive të mëdha që i morën në dëm të shqiptarëve nën trysnin e Rusisë.

Ky Memorandum kishte planifikuar që të gjithë Jugosllavinë ta kthente nënë ndikimin e Serbisë ashtu siç kishte ndodhur sidomos pas vdekjes së Titos. Akademikët serb u shkolluan në shkollat pansllaviste dhe si të tillë kanë qenë mjeshtër të dezinformimit, propagandës, dhe të mashtrimit. Institucionet e Akademisë së Serbisë kundër shqiptarëve i vunë në dispozicion të gjitha mjetet duke i përdorur paragjykimet, keqinformimet dhe format tjera bizare për ta bindur botën me të pavërtetat e tyre, për ti kthyer në të vërteta kundër shqiptarëve. Duke e parë këtë gjendje, ne kishim përpiluar një program për zgjidhjen e çështjes shqiptare nën Jugosllavi, me opcion luftën e armatosur, duke u bazuar në parimet e Konferencës së Bujanit, por edhe në dokumentin e vitit 1945 kur Serbia e anekson Kosovën në mënyrë të dhunshme përmes shtetrrethimit ushtarak. Nga lufta në Kroaci, qartazi u kuptua nga të gjithë, se kjo situatë do të kishte përmasa më të gjëra.

Atëherë unë së bashku me Isuf Bajramin dhe intelektual e shokë tjerë duke i përfshirë këtu edhe pjesëtarët e Grupit Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare i formuar në vitin 1991 në Carrabreg në shtëpinë e Fetnete Ramosajt (tash Heroinë e Kosovës) ishim për bashkimin e forcave në një forcë të unifikuar, por edhe për formimin e një qendre të përbashkët të veprimit dhe koordinimit të aksioneve dhe veprimtarisë ilegale. Disa individë udhëheqës të grupeve ilegale por edhe individ të pavarur që mendonin dhe ishin të bindur se çështja e Kosovës nuk zgjidhet pa luftë, ishin futur në disa parti politike të kohës të cilat i përdornin si mburojë për të vepruar më lehtë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roja Bregdetare e Greqisë e ka gjetur një grup prej…