Kongresi i Manastirit, vepër elitare e historisë kombëtare
Hasan Mujaj
-Me rastin e 110-vjetorit të krijimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Një përvjetor i ndritur
Gjergj Fishta shkroi: “Alfabeti i vetmi mjet me të cilin kombi do të përparojë. Po të mos zgjidhej alfabeti, Shqipëria do të pësojë humbje të mëdha, madje është e parëndësishme se cili do të jetë ai, por ta kemi një”
Kongresi i Manastirit filloi punën më 14 dhe përfundoi më 22 nëntor të vitit 1908. Ai, pas pavarësisë së dy shteteve shqiptare, Shqipërisë e Kosovës, qe dhe mbeti arritja më kontemplative e më mbresuese e historisë së vrullshme dhe dinamike gjatë Rilindjes Shqiptare në të cilën (arritje) u themelua alfabeti i gjuhës shqipe, i kësaj vlere më të lartë kombëtare dhe identitare.
Pas botimit të disa gazetave e revistave në gjuhën shqipe, pas hapjes së disa shkollave në gjuhën shqipe që thelluan e zgjeruan idealet e frymës iluministe të programit nacional të Rilindjes Kombëtare, tani, si detyrë sipërore e shoqërive kulturore propagandistike dhe në tërësi si pikësynim prioritar i lëvizjes kombëtare brenda e jashtë Shqipërisë, në kolonitë shqiptare të mërgimit, qe krijimi i një alfabeti unik për gjuhën shqipe, e cila, asokohe, shkruhej me disa alfabete.
Alfabeti unik qe domosdoshmëri e kohës, prandaj Kongresi i Manastirit, që si kryetemë vuri çështjen e alfabetizimit të gjuhës, u prit me entuziazëm të lartë e me përjetime emfatike jo vetëm nga pjesëmarrësit, por nga shqiptarët në përgjithësi.
Krijimi i këtij alfabeti e shpuri përpara zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të çështjes arsimore, kulturore, publicistike të lëvizjes shqiptare për të drejtat nacionale dhe për ndërtimin e shtetit shqiptar. Kongresi i Manastirit u organizua dhe u mbajt në rrethana të ndërlikuara politike, kombëtare, ndërkombëtare etj. Ai kishte marrë në trajtim një çështje me rëndësi të veçantë arsimore, shkencore e kombëtare: përpilimin e alfabetit të gjuhës shqipe, i cili shënoi stabilizim dhe avancim të çështjes gjithëkombëtare.
Zhvillimet dhe rrethanat e ndera politike, sidomos në historinë e përndjekur të kulturës sonë nga qarqet antishqiptare, kanë penguar zhvillimin e arsimit, të përdorimit të gjuhës shqipe e të alfabetit të saj, ashtu sikundër kanë ndikuar edhe në thellimin e dallimeve gjuhësore e kulturore mbi baza rajonale e sociale brendashqiptare.
Çështja e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, që nga fillimi i Rilindjes Kombëtare, me të drejtë ishte parë si kërkesë me shumë interes shkencor, arsimor e kombëtar, prandaj me shumë arsye u mor nisma që drejtuesit e shoqërive e klubeve kulturore, të cilët kishin alfabete të ndryshme për të shkruar gjuhën shqipe, të ftoheshin në një takim kombëtar që do të quhej kongres për të krijuar një alfabet të vetëm.
Shkrimtarët dhe studiuesit e periodës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, krijimin e një alfabeti të gjuhës shqipe, nuk e shihnin vetëm si çështje thjesht gjuhësore, por edhe si çështje me rëndësi të madhe kombëtare. Sepse, përdorimi i shumë alfabeteve krijonte edhe ndasi ndërshqiptare dhe ishte si pengesë e bashkërendimit të veprimtarisë kulturore, arsimore e politike në interesin e çështjes shqiptare. Pati rëndësi të madhe fakti se njësimi i alfabetit u pa si kërkesë e ngutshme e kohës për ta bërë tok konsolidimin gjithëkombëtar.
Gjuha shqipe, mjet i unitetit kombëtar
Kongresi i Manastirit nuk qe vetëm Kongres i alfabetit të gjuhës shqipe. Jo. Ai qe shumë më i gjerë, shumë më domethënës. Kjo nga fakti se me të drejtë gjuha shqipe ishte parë si mjet i pazëvendësueshëm i zgjimit dhe i thellimit të vetëdijes kombëtare dhe i unitetit kombëtar, ngase, sikundër kishte vënë re Sami Frashëri, mospërdorimi i gjuhës shqipe, sjell asimilimin.
Prandaj, këtij takimi të rëndësishëm historik e gjithëkombëtar i kanë paraprirë disa shtysa, të cilat patën ndikim të madh në pikëpamjen e intensifikimit e të zhvillimit të veprimtarisë së mëtejshme kombëtare.
Njëra nga shtysat parësore që bëri jehonë të madhe jo vetëm në zgjimin dhe thellimin e vetëdijes kombëtare, por edhe në afirmimin e çështjes shqiptare në relacionet ndërkombëtare qe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në programin kombëtar të së cilës përdorimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe, i jepej rëndësi e veçantë. Relevanca e gjuhës shqipe nga rilindësit ishte parë nga një horizont më i gjerë, më shumë se thjesht gjuhë: ishte parë si themel i kompleksitetit dhe i unitetit gjithëkombëtar.
Pa u bërë një vit nga mbledhja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krijuesit zulmëmëdhenj të Rilindjes Shqiptare, në rrjedhën e përpjekjeve pragmatike për t’i sendërtuar kërkesat e Lidhjes ndër të cilat qenë edhe përdorimi i gjuhës shqipe dhe çështja e alfabetit të saj, themeluan në Stamboll “Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip” dhe hartuan një alfabet të gjuhës shqipe që hyri në histori me emrin Alfabeti i Stambollit (më 1879).
Autorët e këtij alfabeti qenë: Sami Frashëri, Jani Vreto e Pashko Vasa dhe ndoqën parimin një tingull, një shenjë grafike. Zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe dhe përpilimi i një alfabeti unik për gjuhën shqipe qenë dy prioritetet më të mëdha të përfshira në programin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Krijimi i një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe u bë çështje e ndërlikuar dhe vështirë e sendërtuar për arsye se ai jo vetëm që pengohej nga pushtuesit osmanë, por pati pengesa edhe nga kundërvëniet ndërshqiptare si rrjedhojë e mentalitetit primitiv të përçarjeve krahinore, të konkurrencës së shoqërive kulturore e të veprimtarisë kombëtare të mbi katërdhjetë klubeve shqiptare të kohës. Megjithëkëtë, formimi i një alfabeti zuri vendin qendror, prandaj më 21 gusht 1908, klubi “Bashkimi” i Manastirit, kryetar i të cilit ishte Fehim Zavalani, pas një bashkërendimi pararendës, mori vendim që Kongresi i Manastirit të fillonte më 14 nëntor 1908 në të cilin do të ftoheshin delegatë të të gjitha klubeve e shoqërive kulturore si dhe intelektualë e studiues të shquar.
Propaganda mediale e disa shteteve me politikë antishqiptare u përpoq të zgjonte reagime e kundërshtime ndërkombëtare kinse Kongresi po ftohej për të shqyrtuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë; shkruhej se “shqiptarët janë barbarë”, “të paqytetrueshëm”, se “janë për t’u shpërndarë” etj. Me gjithë shkrimet e këtilla tendencioze, Kongresi filloi punën. Në të morën pjesë tridhjetë e dy delegatë me të drejtë vote që “përfaqësonin njëzet e gjashtë qytete e shoqëri brenda e jashtë Shqipërisë”.
Në fillim të punës u lejua pjesëmarrja e shumë ithtarëve të njësimit të alfabetit që përbënin “rreth katërqind veta”. (Shaban Demiraj/Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit, Tiranë, 2004.)
Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh intelektuali virtuoz e atdhetari i shquar, Mit-hat Frashëri (sot shkruhet Mithat), (Lumo Skëndoja), nënkryetarë: Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, sekretarë: Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nyzhet bej Vrioni.
Kongresi zgjodhi me vota të fshehta komisionin për të marrë vendim për alfabetin të përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë. Pasi mori numrin më të madh të votave të Kongresit, Gjergj Fishta u caktua kryetar i komisionit. Komisioni, sipas shënimeve të ruajtura, vendosi të formohej alfabeti i shqipes mbi bazën e alfabetit latin me përshtatje të caktuara fonetike. Ai vendosi njëzëri t’i përshtaste dy alfabete: të Bashkimit të Shkodrës dhe të Stambollit, të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe të dy, alfabete të mbështetura në alfabetin latin. Kongresi tumiri vendimin e komisionit. Kështu numri i alfabeteve tani u reduktua në dy. Kjo arritje davariti ndasitë e deriatëhershme të shqiptarëve rreth alfabetit.
Imperativ i kohës: shkollat dhe alfabeti
Këto dy synime kombëtare, shkollat dhe alfabeti, duke qenë si përbërës themeltarë të identitetit kombëtar, morën shtrirje të gjerë në të gjitha krahinat shqiptare dhe në të gjitha shtresat shoqërore. Ky fakt d.m.th. fakti se gjuha shqipe ishte parë si mjet i zhvillimit shoqëror në të gjitha fushat e veprimtarisë, fakti se për shkollat shqipe dhe për alfabetin e gjuhës shqipe nuk vepronin vetëm qarqet intelektuale, por edhe shtresat, klasat dhe grupet e ndryshme shoqërore, dëshmojnë bazën e gjerë të kompleksit sociolinguistik të veprimtarisë së thukët për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, e cila kundrohej jo vetëm si çështje shkencore, porse trajtohej edhe si çështje e civilizimit kombëtar, si argument i njohjes ndërkombëtare në shumë pikëpamje si në atë arsimore, kulturore, politike etj.
Sami Frashëri e kishte parë shumë drejt aspektin e lidhjes së pandarë të gjuhës me shoqërinë, d. m. th. aspektin sociolinguistik. “Të moslëvruarit e gjuhës amtare, sigurisht, e ka favorizuar procesin e asimilimit të një pjese të shqiptarëve…” shkruan ai. Samiu mbronte tezën e drejtë që alfabeti i shqipes të kishte bazën në alfabetin latin për të shtuar se Shqipëria është “vend evropian dhe populli shqiptar është një popull evropian” .
Edhe Kostandin Kristoforidhi, në vitin 1888, shkruante: “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe edhe sot mbë këtë ditë nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut…” (Vepra e cit., f. 30).
Kristoforidhi me arsye gjuhën shqipe e alfabetin e saj i sheh si tregues të qenies, të arsimimit e të zhvillimit kombëtar.
Në ftesat që klubi shqiptar “Bashkimi” i Manastirit ua kishte dërguar klubeve dhe shoqërive kulturore brenda e jashtë Shqipërisë për të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit vihej në dukje vlera e madhe kombëtare, historike e zhvillimore që e kishte hartimi i një alfabeti të gjuhës shqipe. Aty, ndër të tjera, shkruante: “Interesi kombëtar lyp nevojën e njësimit të alfabetit të gjuhës sonë për përparimin dhe lumturimin e popullit tonë”. Alfabeti “ka me forcue fletët ma të shkëlqyeshme të historisë sonë kombëtare; alfabeti i gjuhës që është çelësi i plotësimit të të tanë nevojave qytetërore e të përparimit industriuer, për neve sot është një nga nevojat e para me rëndësi” (Aty, f. 30). (Vijon)