Kongresi i partisë së mos – punës, Vetëvendosje!

09 tetor 2024 | 14:49

Behxhet Sh.  SHALA – BAJGORA

Modestia, si vlerë e shtuar e mashtrimit: Partia e Punës e Shqipërisë, me diktatorin Enver Hoxha, Pallatin e Kongreseve e përdorte për mbajtjen e kongreseve dhe aktiviteteve tjera politike ku, më shumë merreshin vendime gjyqësore se politike. Vendimet ishin kryesisht me varje apo plumb pas koke për kundërshtarët politik që konsideroheshin dhe trajtoheshin si armiq të “popullit” dhe të shtetit (lexo të regjimit). Pallati i Kongreseve ka qenë varri i patriotëve më të mëdhenj shqiptarë, ku nuk janë vrarë aty por ku është vendosur për fatin e tyre. Sot, në Pallatin e Kongreseve mbahet Panairi i Librit sikur edhe ngjarje tjera kulturore .

Lëvizja Vetëvendosje e mbajti Kongresin (Këshillin e Përgjithshëm) jo në Pallatin e Kongreseve por në hotelin më luksoz në Kosovë, me të gjitha komoditetet dhe lukset që i ofron. Është mizorisht brutale për një parti që për ideal e kishte modestinë dhe “kazanin e përbashkët”, si kusht për barazi dhe distancim nga keqbërësit e shtetit që kjo parti i quan regjim i vjetër në kohën kur është shndërruar në regjim të ri, regjim modern ku demokracia e vjetër zëvendësohet me autokraci të re të përfundojë në kushte të 1001 netëve. Kjo mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm u identifikua vetëm me një person dhe fenomen, me Albin Kurtin, si alfa dhe omega dhe me sjelljet e tij prej autokrati, jo vetëm si fenomen por edhe si veprim dhe mendësi. Fryma mobilizuese e këtij Kongresi ishte urrejtja ndaj kundërshtarëve politikë të cilët i konsiderojnë si armiq. Urrejtja ndaj mediave, ndaj institucioneve të drejtësisë dhe atyre që nuk pajtohen me ta. Krejt kjo bëhej në përpjekje për të mbuluar dështimet e pakundërshtueshme dhe të pamohueshme në të gjitha segmentet ekonomike, politike, arsimore, të drejtësisë, zhvillimore etj. Defilimi i ministrave gjasonte në Teatrin e Marionetave – Kukullave ku penjtë tërhiqeshin nga antikombëtarja Mihali dhe Albin Baba me 40 mega hajdutë. Të pispillosur, parfumosur, të kollarisur dhe të katandisur në injorancën e tyre, ministrat e Haremit politik të Kurtit bënin garën se kush po gënjen më shumë, kush po shpifë më shumë dhe kush po ofron më shumë urrejtje për regjimin e vjetër, si kusht i domosdoshëm për mbijetesë politike dhe të pëlqehen nga Neroni i tyre që rrjedhshëm flet shqip. Nëse krahasoni përbërjen aktuale të piramidës së LV-së, krahasuar me më parë, sigurisht se 80 – 90 për qind janë aty për interesa personale, nuk kanë asgjë të përbashkët me çështjen kombëtare, janë të proveniencës jugosllave apo vëllazërim – bashkimit dhe brutalisht kanë keqpërdorur flamurin kombëtar. Janë kundër Shqipërisë dhe bashkimit kombëtar. Janë edhe kundër Kosovës. Janë kundër UÇK-së dhe udhëheqësve të luftës që i dërguan në Hagë. Janë kundër Bacë Adem Demaçit por që manipulojnë me emrin e tij kurdo që kanë nevojë. Sikur që manipulojnë me një pjesë të familjes Jashari. Janë të përbashkuar rreth pushtetit dhe posteve, rreth 273 milionëve të tenderëve njëburimor, rreth nepotizmit të jashtëzakonshëm dhe fanatizmit të mbrojtjes së anëtarëve apo balenave të korrupsionit masiv. Punësimin e anëtarëve partiakë e kanë shndërruar në standard moral dhe profesional që dhunon institucionin e konkursit. Albin Kurti nuk ka pasur nevojë që për bashkëpunëtorë të ketë njerëz të ndershëm, profesionalisht kompetent, me integritet të shëndoshë njerëzor dhe kombëtar shkaku se këta nuk do ia mbanin zhagun duke u shndërruar në llaskuçë të interesit prandaj është përcaktuar për këta që i ka me të cilët sundon si me skllevër të padenjë edhe për një liri minimale. Prandaj edhe i mbron me aq pasion. Që nga përfundimi i luftës kurrë nuk ka ndodhur që një KM të mbrojë me aq vendosmëri rrogëtarët, siç e bënë Albin Kurti. Shkruhet se këta të këqij po e marrin në qafë Albinin, duke vjedhur dhe keqpërdorur mbi tokë dhe nën tokë, në qiell, në parajsë e në ferr. Realisht, në LV asgjë nuk bëhet pa dijen dhe lejen e Kurtit, ai është kryenoteri dhe Gjykata Kushtetuese për LV-në, mendermethënë GUXO dhe ALTERNATIVEN.

Çka u mësua nga Kongresi i partisë së mos – punës, LV: U mësua se Albin Kurti është vet LV-ja, pa të do të ishte mbetje mortore politike. Prandaj të gjithë i luten, falen, përkulen dhe përqurren para kultit të Zeus Kurtit sepse pa te, jeta mbaron. Po vetëm Kurti do ta bënte një analfabete, ministre të Arsimit. Një injorante joprofesionale do ta bënte ministre për vjedhje të rezervave shtetërore. Një ministre që e ka humbur rrugën në oborrin e saj e bënë ministre që i shkelë rrugët ajrore, tokësore dhe ujore të botës, pa e pasur të qartë se ku shkon dhe pse shkon. Një kësulëkuqe, të cilën nuk do ta haje as ujku më i uritur në botë e ngarkon me zbatim të sheriatit partiak. Një cub të pakulturuar e ngarkon me kulturë. Një dhunues të Policisë e bënë kryesorin e policisë.

Albini në Kongresin e partisë së mos – Punës gënjeshtrat dhe mashtrimet për zhvillim ekonomik dhe punësim i shiti si të dhëna më të besueshme të Entit Statistikor. Militantët i besuan verbërisht, mos keni pritur të kundërtën. Albin Kurti po e lufton Rusinë, si sozi e Zelenskit dhe Vojsa Osmanit. Kurse, nuk guxon ta gjykojë gjenocidin e Izraelit në Gaza. Nuk guxon të përmend 42.000 palestinezë të vrarë dhe mbi 100.000 të plagosur sikur ekocidin dhe urbanocidin në masë midis 80 – 90 për qind. Po në Gazë të Palestinës. KM mundohet të baraspeshojë krimin dhe kriminelët me viktimat dhe pafajësinë. Deklaron se nuk duhet të bashkëpunohet me ata që janë non grata në listën amerikane, Mimoza Kusarin, si bashkëpunëtore të vullnetshme të non grata Radojiçiqit, e mbanë në krye të tryezës të qeverisë Kurti 2. Me Radojiçiqin dhe qyqekokerkën e Gadafit, më lehtë e lufton UÇK-në dhe veteranët e luftës. Si vlerë e shtuar e këtij kombinimi është edhe paramilitari Hekuran Murati apo Jack Smith i veteranëve të luftës. Një jonjeri, me patologji të theksuar kundër UÇK-së dhe veteranëve të luftës. Hekuran Murati është më i rrezikshëm se Donika Shvarc në luftë kundër UÇK-së, veteranëve të luftës, të burgosurve politikë dhe Bacë Adem Demaçit, Donika Shvarc ka vetëm urrejtje të palimituar kurse Teneqe Murati përveç urrejtjes, gjithashtu pa kufij, e ka edhe kuletën e shtetit!

KM Kurti, duke përmendur mendermethënë GUXO dhe Alternativen, e luajti zbutësin ndaj Vojsa Osmanit, jo se ka ndonjë respekt a konsideratë për presidenten e shkartiratur nga vet Kurti por se mundohet ta pengojë kthimin e votave që Vojsa Osmani pabesisht ia ka marrë LDK-në, për dobi të Kurtit. Nëse e pengon kthimin e votave te LDK-së përmes joshjes edhe për një mandat të presidentes, pas zgjedhjeve Albin Kurti do ta lëshojë Vojsa Osmanin te bifurkacioni i Nerodimes duke e zhdukur në njërin prej detave. Nuk besoj se Kurti dhe Vojsa, edhe nëse e lidhin Paqen Romake do të mund të ndalojnë kthimin e votave të LDK-së, te LDK-ja. Prandaj LDK-ja edhe do të rritet. Prandaj edhe PDK-ja do të rritet. Prandaj edhe AAK-NISMA do ta kalojnë pragun pupalec. Prandaj edhe Lista për Familje do të bëhet parti parlamentare. Prandaj LV-ja duhet ta harrojë 21 shkurtin dhe 50 përqindëshin. Për aq sa rriten këto parti për aq do të shembet LV-ja. Prandaj kanë nevojë për përkrahje nga mbetjet jugosllave, serbe, ish-udbashët dhe antikombëtarët. Prandaj kanë nevojë që të besojnë në sondazhet me 70 për qind të fitores së LV-së që e thotë kumbara i Millorad Spasiqit, deputet i Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës, pas zgjedhjeve të ardhshme do të ketë 5 parti shqiptare, do të shpërndahen votat.  Askush nuk do ta fitojë shumicën absolute.

Parimësia e Kurtit: Këtë armë, tashmë me barut të lagur e ka përdorur Kurti më herët. Sidomos me rastin e veriut të Kosovës. Lëshimet që i ka bërë Albin Kurti deri më tani janë të papërfillshme dhe beninje krahasuar me lëshimet që do të detyrohet t’i bëjë në veri të Kosovës.  Këtë e ka shumë të qartë KM Kurti prandaj po e përdor dramatizimin, si mjet qetësues dhe ikje nga realiteti. Po e përdorë kërcënimin me luftë si gogol për qytetarët e Kosovës. Kush do ta bëjë luftën, Dimal Basha, narkomanët e Prizrenit, Mef Bajçina, Seneka i Kuvendit, apo kërkueset e puthjeve?!!! Luftën e bëjnë ata që e kanë bërë çdoherë kur duhej, fëmijët e tyre të cilët Albin Kurti, me shpurën jugosllave që është i rrethuar, i konsideron armiq. Nuk ka luftë në Kosovë pa e vendosur Putini. As Albini e as Vuçiqi.

Bota po vlon, ne nuk e shfrytëzuam Banjskën: Vëmendja e botës po përqendrohet në Ukrainë, Gaza, Iran, Tajvan dhe Kinë ku ka miliona viktima dhe ku po rrezikohet rendi botëror kurse ne po e bombardojmë me Manastirin e Banjskës. Me Radojiçiqin që ishte bashkëbisedues me Mata Harin, si vallëzuese vetëm e Gadafit dhe i cili mori tenderë nga Kosova edhe pasi u nxi në Listën e zezë amerikane, me kërkesën për ekstradim në Kosovë dhe përralla të tjera. Askush nga qendrat vendosëse ndërkombëtare nuk ka kërkuar ekstradimin e mikut të Limozës në Kosovë por nxjerrjen para organeve të drejtësisë në Serbi. Dhe këtu merr fund kjo punë.

Gjithandej shqiptarë të përçarë: Në Kosovë LV ka krijuar një debat toksik, jo një debat konstruktiv midis kundërshtarëve politikë.  Jonormale, përfundimisht.

Në Maqedoni të Veriut, fuqia politike e fituar me Ali Ahmetin, po shkrihet si akullnaja në Antartik, ka rrezik që edhe gjuha shqipe të dezyrtarizohet, të barazohet me gjuhën e vllehëve, torbeshëve dhe aborixhinëve ndonëse shqiptarët përbëjnë së paku 35 për qind të popullatës së këtij shteti. VLEN, bashkë me Travarin dhe Bekim Koqjen kanë merita të pakundërshtueshme për këtë, si rrogëtarë të Albinit.

Në Mal të Zi shqiptarët po mrizojnë nën qeverinë proserbe.

Në Luginë të Preshevës, si në Maqedoni të Veriut.

Kurse, në Piemontin e Shqiptarisë, në Shqipëri, në emër të mosbindjes civile e që në fakt është terrorizëm partiak dhe politik, po i vihet flaka vendit, sikur në kohën e Zani Çaushit. Të paudhët!!!!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Drenicës nga Skenderaj ka befasuar të gjithë, pasi…