Kongresi konfirmon Joe Biden si president të SHBA-së
Kongresi amerikan ka certifikuar Joe Biden dhe Kamala Harris si presidentin dhe nënpresidenten e ardhshme të SHBA-së.
Votat elektorale u miratuan pasi Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve refuzuan kundërshtimet ndaj votave në shtetet e Pensilvanisë dhe Arizonës.
Certifikimi i votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit amerikan është hapi i fundit në procesin zgjedhor, para inagurimit të presidentin e zgjedhur, Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris më 20 janar.
Presidenti aktual, Donald Trump tha se “do të ketë një tranzicion të rregullt të pushtetit” .
“Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve, megjithatë do të ketë një tranzicion të rregullt në 20 janar”, tha Trump në një deklaratë të postuar në Twitter nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino.
Seanca e Kongresit vazhdoi pas rreth katër orësh trazira, pasi protestuesit e dhunshëm që mbështesin presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit duke hyrë brenda.