Kongresisti Engel: ShBA-ja duhet ta kthejë vëmendjen te Kosova dhe Serbia
Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet ta kthejnë vëmendjen kah Kosova dhe Serbia, ashtu siç kanë bërë administratat e mëparshme amerikane.
Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të “Radios Evropa e Lirë”, ai ka theksuar se Qeveria e Serbisë duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe se e tillë do të mbetet.
Engeli, kryetar i Komitetit të Kongresit amerikan për Punë të Jashtme, u ka bërë thirrje të dyja vendeve që t’iu kthehen bisedimeve.
“Druaj se pjesëmarrja dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në këtë çështje të rëndësishme kanë rënë në plan të dytë, për shkak të gjërave të tjera me të cilat po merret administrata Trump. Aktualisht ka debat të madh rreth emigrimit, një numër i madh i njerëzve po vjen në kufijtë tanë nga Amerika qendrore. Kjo mendoj se e ka tejkaluar situatën në Ballkan, sa i përket vëmendjes së Amerikës. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet t’iu japin më shumë vëmendje këtyre dallimeve midis shqiptarëve dhe serbëve. Mendoj se Shteteve të Bashkuara u besojnë të dyja palët. Shpresoj se do të kalojmë më shumë kohë në këtë çështje, ashtu siç kanë bërë administratat paraprake. Me (presidentët) Bill Clinton dhe George W. Bush është investuar shumë energji në Ballkan, kurse tani jo aq shumë. Mendoj se kjo është gabim”, ka thënë Engeli.
Intervistën e plotë të Engelit mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/eliot-engel-shba-vemendja-kah-kosova-serbia/30036763.html