Kongresistja Ocasio-Cortez thotë se ajo është e mbijetuar e sulmit seksual

02 shkurt 2021 | 15:32

Kongresistja demokrate në Shtetet e Bashkuara, Alexandria Ocasio-Cortez, ka thënë se ajo është një e mbijetuar e sulmit seksual.

Derisa ka folur për këtë ngjarje të jetës së saj, ajo akuzoi republikanët që nuk e pranojnë fajin për trazirat e muajit të kaluar në Kongresin amerikan. Ajo ka thënë se ata po përdorin “taktika të abuzuesve”.

“Unë jam një e mbijetuar e sulmit seksual”, ka thënë ajo, duke përmbajtur lotët.

“Dhe nuk ua kam treguar shumë njerëzve këtë në jetën time”, ka shtuar ajo.

Ocasio-Cortez është një nga demokratët e profilit më të lartë në Kongres. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Instagram”, 31-vjeçarja ka zbuluar shumë pak në lidhje me sulmin seksual.

Ocasio-Cortez ka thënë se ishte e përgatitur për kritika pasi ndau përvojën e saj të sulmit seksual, pasi ajo nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me trazirat në Kongres. Por, ajo ka bërë ndërlidhje të traumave të cilat, sipas saj, mund të komunikojnë me njëra-tjetrën.

“Të gjitha traumat tuaja mund të kryqëzohen dhe të bashkëveprojnë”, ka thënë ajo.

Ocasio-Cortez ka theksuar se edhe para trazirave, atmosfera në Kongres dhe Uashington ishte bërë më e tensionuar. Atë ditë ajo ka thënë se ishte në zyrën e saj kur dëgjoi trokitje në derë, sikur dikush po përpiqej të hynte.

Drejtori i saj legjislativ i ka thënë asaj që të fshihej, dhe ajo hyri në tualet. Pastaj dëgjoi një burrë që bërtiste dhe po përpiqej ta gjente.

Më 6 janar turma të mbështetësve të ish-presidentit, Donald Trump, kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit në përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë…