Konjufca: Adem Demaçi, figurë e rëndësishme e kombit

26 korrik 2023 | 14:48

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe te varri i veprimtarit dhe simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e përvjetorin të pestë të ndarjes nga jeta.

Me këtë rast kryetari Glauk Konjufca tha se figura e Adem Demaçit zë njërin prej vendeve më të rëndësishme në historinë e re të kombit shqiptar.

“Adem Demaçi për shqiptarët e pasluftës së Dytë Botërore ka qenë njëra prej figurave më të rëndësishme e cila ka arritur të artikulojë interesat më jetike të kombit shqiptar, duke filluar prej koncepteve të Kosovës Republikë, të bashkimit kombëtar dhe të së drejtës për vetëvendosje”, theksoi Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se Demaçi mbrojti të drejtat dhe liritë e popullit shqiptar, duke qenë prijës i shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.

“Adem Demaçi jo vetëm që i artikuloi, por i mbrojti ato me një sakrificë të pashembullt, duke qenë në krye të proceseve më të rëndësishme të popullit tonë. Aty ku ishin të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave tona si popull, aty në rendin e parë ishte Adem Demaçi”, tha kryetari Konjufca.

Adem Demaçi me veprimtarinë e gjerë dhe me sakrificën e tij, shtoi më tej kryetari i Kuvendit, gjithmonë ka qenë frymëzim për brezat, duke lënë gjurmë të pashlyeshme dhe duke u bërë motiv edhe për institucionet e Kosovës.

“Duke filluar prej viteve pesëdhjetë, atëherë kur u burgos për herë të parë e deri në vitin 1998, kur thirrja e kërkoi që të jetë në ballë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi nuk ka dështuar asnjëherë. Ai gjithmonë i ka frymëzuar brezat me sakrificën dhe me veprimtarinë e tij, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe e cila është e rëndësishme edhe për ne, që vazhdojmë të jetojmë dhe vazhdojmë ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës institucionalisht dhe me përgjegjësi”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit