Konjufca: Akademia e Shkencave dhe Arteve, bartëse e procesit të shtetndërtimit

21 qershor 2022 | 17:09

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, si dhe shefi i kabinetit të tij, Ilir Kërçeli, kanë vizituar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), me ç’rast janë pritur nga kryetari i kësaj akademie, akademik Mehmet Kraja dhe kryesia e këtij institucioni.

Me këtë rast, kryetari Konjufca ka vlerësuar lart rolin e AShAK-ut në proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, si dhe kontributin e saj në shtetndërtimin e Kosovës.

“Para se ta kemi shtetin, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka qenë bartëse e procesit të shtetndërtimit, institucion ky i përbërë nga figurat më eminente, intelektualë të shquar, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Akademitë janë ato të cilat i hetojnë sfidat dhe më pas japin objektivat e tyre se si të zgjidhen këto sfida në shtet, por edhe në shoqëri. I tillë ka qenë edhe roli i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se Kuvendi ka gatishmërinë për të qenë sa më afër ASHAK-së dhe për të punuar si dy institucione për proceset e rëndësishme të vendit.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, ka shtruar nevojën e ngritjes së një debati të gjerë, në mënyrë që punimet shkencore të studiuesve të Shkencave Albanologjike të njihen si të vlefshme për avancime akademike.

Në anën tjetër, akademik Mehmet Kraja, pasi ka falënderuar kryetarin Konjufca për vizitën dhe ofrimin e gatishmërisë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, foli për projektet, konferencat dhe botimet e AShAK-ut.

Po ashtu, akademik Kraja ka theksuar se krahas projekteve po punohet edhe për avancimin e rolit të AShAK-ut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të…