Konjufca: Arbeni e Moni ranë dëshmorë për vetëvendosjen e republikës

10 shkurt 2023 | 10:34

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkruar për 16-vjetorin e vrasjes së aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, nga policia rumune e UNMIK-ut.

“Arbeni e Moni ranë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe për vetëvendosjen e Republikës. Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit”, ka shkruar në “Facebook” Konjufca.

Ai ka thënë se vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007 mbetet kërkesë e tyre parësore.

“Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte. Po. Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të demokracisë Arben Xheladini e Mon Balaj!”, ka shkruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është shtëpia më e famshme në Shqipëri dhe padyshim që…