Konjufca bisedon me delegacionin e Azisë Jugore për njohjen e Kosovës nga vendet mosnjohëse
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të premten t në takim delegacionin nga Azia Jugore të përbërë nga profesorë, studiues, anëtarë institutesh dhe gazetarë që vijnë nga vende si Nepali, Bangladeshi, India dhe Maldivet.
Pasi i ka falënderuar për vizitën, kryetari Konjufca është shprehur rreth kompozimit gjeopolitik evropian, ku bën pjesë edhe Republika e Kosovës, si dhe nevojën për një bashkëpunim sa më progresiv dhe vleror mes vendeve të kontinentit të Evropës dhe Azisë.
Po ashtu, kryekuvendari Konjufca dhe mysafirët kanë diskutuar rreth çështjeve të ndryshme ku përfshihet nevoja për rritje të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe vendeve të Azisë Jugore në fusha të tregtisë, por edhe të parlamentarizmit, nevojën për njohjen e Republikës së Kosovës nga vendet mosnjohëse të këtij rajoni, për rëndësinë e parlamentarizmit dhe rolin e mediave.
Mysafirët të cilët gjenden në Prishtinë për të marrë pjesë në Konferencën “Prishtina Dialogue”, e kanë falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen dhe diskutimin përmes të cilit janë njoftuar së afërmi me pikëpamjet, kontekstin e vendit dhe rajonit tonë, përbrenda një bote ku sfida e distancës gjeografike duhet të humbë rëndësi përballë nevojës së bashkëpunimit në nivel të shteteve, organizatave dhe qytetarëve.