Konjufca dhe homologia polake bisedojnë për Kosovën, rajonin dhe Ukrainën

07 qershor 2022 | 17:18

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar të martën një takim virtual me kryetaren e Parlamentit të Polonisë, Elzbieta Witek.

Gjatë bashkëbisedimit virtual janë trajtuar tema të ndryshme të rëndësishme për Kosovën, rajonin, Poloninë, Evropën dhe botën.

Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, Witeku e ka njoftuar Konjufcën për sfidat nëpër të cilat Polonia është duke kaluar.

Ajo ka thënë se shteti i saj tashmë ka pranuar më shumë se tre milionë refugjatë nga Ukraina, si dhe ka njoftuar që Parlamenti i Polonisë deri më tani ka miratuar pesë rezoluta mbi agresionin rus dhe Ukrainën.

Po ashtu, Witeku ka kërkuar të ketë sa më shumë solidaritet, bashkëpunim  dhe harmonizim të të gjitha shteteve përkitazi me sanksionet kundër këtij agresioni.

Duke u ndërlidhur në këtë temë, kryetari Konjufca e ka njoftuar homologen e tij polake lidhur me miratimin e rezolutës së Kuvendit për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, harmonizimin e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së dhe ShBA-së mbi sanksionet kundër Rusisë.

Po ashtu, Konjufca e ka njoftuar homologen polake se Kosova ka marrë vendim të akomodojë 5 000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas.

Në këtë krizë globale ne jemi rreshtuar përkrah popujve liridashës dhe demokratik, meqë edhe vetë kemi qenë viktimë e agresionit serb. Për më tepër pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia ndikon drejtpërdrejt edhe në sigurinë rajonale e më gjerë.

Më tutje, kryetari Konjufca ka shprehur mirënjohje për kontributin e Polonisë dhënë shtetit tonë, duke theksuar se Polonia është shtet mik dhe mbështetëse e Kosovës gjatë rrugëtimit të shtetndërtimit të saj.

“Shtetet tona janë në rrugën e tyre të përparimit dhe avancimit të marrëdhënieve dypalëshe, të bazuara në besim dhe respekt të ndërsjellë, dhe se jemi të përkushtuar për miqësi dhe partneritet afatgjatë me Poloninë.  Ardhmëria e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në BE, prandaj preferojmë një rrugë të qartë përpara”, ka thënë Konjufca.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar se sfidat e fundit të sigurisë globale kërkojnë unifikim dhe kanë shprehur gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin e dimensionit parlamentar në mes të dy shteteve tona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj, ka pranuar…