Konjufca dhe Nikolla, memorandum midis dy parlamenteve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar sot në Tiranë me homologen Lindita Nikolla, me të cilën ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi midis dy parlamenteve.
“Sot e pata nderin dhe kënaqësinë të mirëpritesha në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Së bashku me nënkryetarët Enver Hoxhaj e Bekim Arifi, shefin e kabinetit, Ilir Kërçeli, dhe sekretarin Ismet Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Së bashku me kryetaren Nikolla e nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Konjufca.
Ai ka treguar se memorandumi i bashkëpunimit synon, ndër të tjera, zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës në fushat e ligjbërjes, përafrimin e legjislacionit të të dyja vendeve dhe të secilit vend me legjislacionin e Bashkimit Evropian, intensifikimin e diplomacisë parlamentare për shtimin e njohjeve të Kosovës dhe fuqizimin e pozitës së saj në marrëdhëniet dhe organizatat ndërkombëtare, organizimin në mënyrë periodike të Tryezës së Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, si dhe tryezave të përbashkëta mes komisioneve respektive.
“Mirënjohje e falënderime për znj. Nikolla dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, e po ashtu dhe për grupin punues që kontribuoi në përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësishëm. Lidhja mes Shqipërisë dhe Kosovës është krejt e veçantë. Edhe vizionin, interesat dhe qëllimet i kemi të përbashkëta. Gjithmonë pranë njëri-tjetrit dhe të bashkuar drejt së ardhmes!”, ka thënë Konjufca.