Konjufca dhe shefi i EULEX-it diskutojnë për bashkëpunim në fushën e sundimit të ligjit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të mërkurën në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano.
Në takim është diskutuar për bashkëpunimin midis Republikës së Kosovës dhe EULEX-it sa i përket fushës së sundimit të ligjit, nga perspektiva e aktualitetit dhe synimeve të përbashkëta për ligjshmëri të kudogjendur, demokraci vibrante dhe stabilitet afatgjatë.
Bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm e gjithnjë e më substancial, me qëllimin përparimin gjithnjë e më të madh në drejtim të sundimit të ligjit.
Kryetari Konjufca e ka falënderuar Giovanni Pietro Barbano për vizitën, duke e vlerësuar kontributin e misionit të BE-së në Kosovë.
Ai është shprehur se ky kontribut i ka dhënë efektet e tij edhe në kapacitetet e Republikës së Kosovës për t’u përballur me të gjitha sfidat që gjenden përpara.
Ndërsa shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, e ka falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmëri dhe angazhimin për bashkëpunim gjithnjë e më të thellë në drejtim të sundimit të ligjit.