Konjufca: Do t’i mbështesim personat me nevoja të veçanta
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe nënkryetarja Saranda Bogujevci, kanë pritur të premten në takim përfaqësuesit e shoqatës së personave me nevoja të veçanta “Handikos”, Shoqatën Kosovare e të Shurdhërve dhe Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, të cilët i kanë njoftuar për sfidat me të cilat përballet ky komunitet në Kosovë.
Përfaqësuesit e këtyre shoqatave, të prirë nga Afrim Maliqi, drejtor i “Handikos”-it, kanë nënvizuar sidomos domosdoshmërinë e përkrahjes institucionale për krijimin e kushteve dhe plotësimin infrastrukturës së nevojshme ligjore për qytetarët me nevoja të veçanta.
Ndërsa kryeparlamentari Konjufca, ka konfirmuar mbështetjen e tij dhe është zotuar se nuk do të mungojnë angazhimet e përbashkëta për adresimin dhe jetësimin e të drejtave të kësaj kategorie të shoqërisë sonë.