Konjufca: Dorëheqja e Ymerit dhe Sejdiut, e paarsyeshme
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka quajtur të paarsyeshme dorëheqjen e Visar Ymerit nga pozita e kryetarit të kësaj lëvizje dhe të Dardan Sejdiut nga pozita e nënkryetarit.
“Për të gjitha mospajtimet dhe dallimet në diskutime, nuk janë të arsyeshme dorëheqjet nga Vetëvendosja. Askush s’e ndihmon Vetëvendosjen duke u dorëhequr. Suksesi i Vetëvendosjes ka ardhur se kemi qenë bashkë dhe në momentin kur gjërat trajtohen me dorëheqje, kjo nuk i bën mirë as Kosovës as Vetëvendosjes”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë se duhet të bëhet e qartë se as Ymeri e as Sejdiu, nuk kanë dhënë dorëheqje nga kjo lëvizje, por vetëm nga pozitat e tyre si kryetar dhe nënkryetar të Lëvizjes.
“Janë larguar nga postet e tyre jo nga Vetëvendosje. Ne nuk i kemi pranuar ato dorëheqje, pasi mendojmë se duhet të bisedojmë dhe rruga më e mirë është ajo që t’u kthehemi problemeve të cilat vetëm së bashku mund t’i zgjedhim”, ka thënë Kollçaku.
Ajo ka shtuar se nuk do të ketë ndarje në Vetëvendosje.