Konjufca e mbështet Kurtin: Lajçaku është pozicionuar kah Serbia, çelësi i dialogut njohja dhe formimi i Asociacionit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, ka thënë se deklarimet e kryeministrit Albin Kurtit ditë më parë nuk kanë qenë akuza, por konstatime për mënyrën e punës së emisarit të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Miroslav Lajçak.
Sipas tij, Lajçaku me qëndrimet e tij është pozicionuar në anën e Serbisë. Ai ka theksuar se në takimin e fundit ka ndryshuar qasja në dialog, duke shtuar se njohja është hequr dhe është kërkuar nga Lajçku vetëm formimi i Asociacionit.
I pyetur nga “Ekonomia Online” për qëndrimin e BE-së dhe ShBA-së në lidhje me mbështetjen e tyre për punën e Lajçakut, Konjufca, ka thënë se ka vetëm një çelës që dialogu të vazhdojë, e ajo është që Asociacioni të formohet bashkë me njohjen nga Serbia.
Ai është shprehur i bindur se Kosova nuk mund të ec asnjë hap përpara në procesin e dialogut nëse nuk e ka në horizont njohjen nga ana e Serbisë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se me këtë premtim Vetëvendosje ka ardhur në pushtet.
“Së pari nuk mendoj që ato ishin akuza ishin disa konstatime mënyrës së punës së Lajçakut. Është vërejtur, më thënë të drejtën qysh në fillim se Lajçaku qëndrimet të cilat i artikulon më shumë janë lë të themi ato marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i qetë në zgjidhjet që i propozon me mund me qenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, qysh me mundur me akomoduar në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se pozicioni i Serbisë është i qartë.
“E cili është pozicionimi i Serbisë? Pozicionimi i Serbisë është që Kosova duhet ta bëjë një Asociacion jashtë çdo ombrelle politike të procesit i cili e ka arritur në këtë pikë ku jemi tash. Përderisa qasja origjinale ka qenë ndryshe krejt. Qasja origjinale ka qenë kjo që me qenë se Kosova nuk mund ta bëjë Asociacionin, sepse përndryshe do ta kishte bërë prej 2013 do ta kishte bërë në qeverinë e Isa Mustfaës, ose Hashim Thaçit. Tash më Vetëvendosjen është me vështirë që të bëhet. Sepse ne e kemi marr një mandat goxha të fuqishëm politik me disa premtime tjetra. Cilat kanë qenë ato premtime? Ato kanë qenë se Kosova nuk mund të ec asnjë hap përpara në procesin e dialogut nëse nuk e ka në horizont njohjen nga ana e Serbisë. Pikërisht duke pas këtë parasysh, ekspertët që e kanë përpiluar marrëveshjen e Ohrit e kanë zgjeruar ombrellën. Zgjerimi i ombrellës është që aty të jetë njohja dhe Asociacioni. Tash Lajçaku po thotë që aty është vetëm Asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur të do ajo. Do të thotë ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon atë dhe thotë që ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçka e artikulon këtë dhe thotë që ky është pozicion i BE-së, atëherë ne mund të themi që Lajçaku paska kontribuar që ky pozicion zyrtarë i BE-së të jetë kjo që e përfaqëson Serbia. Mua nuk më duket kjo e drejtpeshuar fare. Është devijim prej idesë origjinale”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij ideja origjinale e dialogut është se nuk ka Asociacion pa njohje.
“Nuk mundesh asociacion me marr edhe me heq prej idesë se njohjes. Quajeni si dush. Njohja de-facto është njohje e shtetësisë së Kosovës. Serbia duhet të pajtohen se kur ta kalon kufirin në Merdare është në një shtet tjetër. Duhet ta njoh flamurin, simbolet, nuk duhet të na pengojë kur aplikojmë ne në organizata ndërkombëtare. Pastaj është në përgjegjësin e Kosovës me gjet një formë të Asociacionit që është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk e cenon rendin juridik. Nëse mundoheni me shkatërruar me të idenë, atëherë jeni në favor të Serbisë. Nuk është akuzë kjo, kjo është thjesht identifikim i një njeriu i cili po kryen punën e vetë goxha në mënyrë të papërgjegjshme. Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara, Asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem”, ka thënë Konjufca.