Konjufca e Molliqaj ‘përplasen’ në Kuvend
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca e ka krahasuar deputetin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, me presidentin Hashim Thaçi.
Në një debat të ashpër për postin e nënkryetarit të Kuvendit, të cilën pozitë e mban Aida Dërguti, ai ka thënë se kjo pozitë i takon Vetëvendosjes, meqë në kohën e regjistrimit ka qenë grupi më i madh parlamentar.
“Krejt paskam harruar si tingëllon Hashim Thaçi, me atë stilin ‘kom për ty diçka’. Mendoj që kjo foltore nuk është adekuate për t’i shpalosur traumat që kanë prej debateve”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa, deputeti Dardan Molliqaj ka thënë se do të ishte mirë që dy partitë të merren vesh për këtë çështje.
Ai ka deklaruar se kërkesa për shkarkimin e Dërgutit është e padrejtë, dhe se Kushtetuta thotë se e drejta e propozimit i takon tri grupeve më të mëdha parlamentare.
Madje Molliqaj ka thënë se LV-ja duhet t’i lërë lojërat politike, por që nëse dëshirojnë lojëra do të kenë, dhe se ai i ka përgjigjet për ta.