Konjufca e Osmani shtrojnë iftar për përfaqësuesit e BIK-ut
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka njoftuar se bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kanë shtruar të hënën një iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).
Siç tregoi kryekuvendari, iftari u shtrua në Kuvendin e Kosovës, kurse ftesa iu shkoi përfaqësuesve të BIK-ut me kënaqësi.
Ai u shpreh se kjo “është një mundësi e veçantë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet nesh dhe për të promovuar respektin dhe bashkëpunimin”.
“Me kënaqësi i kemi ftuar sonte udhëheqësinë e BIK-ut për të marrë pjesë në iftarin tonë të posaçëm në Shtëpinë e Popullit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani. Është një mundësi e veçantë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet nesh dhe për të promovuar respektin dhe bashkëpunimin”, shkroi Konjufca në Facebook.
“Urojmë një mbrëmje të këndshme dhe të bekuar për të gjithë pjesëmarrësit e këtij iftari!”, përfundoi ai.