Konjufca e quan hajn Zekën, ky i fundit e quan psikopat Konjufcën (Video)
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka ironizuar rreth deklaratave të disa deputetëve gjatë seancës për dialogun për rrëzimin e presidentit Hashim Thaçi.
“Kur e kanë votuar Hashim Thaçin kanë harruar se ai nuk është Atifete, por është Atifet”, ka thënë Zeka.
Më tutje, ai ka thënë se deputetët e opozitës nuk janë duke diskutuar për rezolutën për dialogun por për urrejtjen ndaj Thaçit.
“Ju s’po diskutoni për dialogun as për rezoluta këtu është problemi i urrejtjes ndaj Hashim Thaçit. Tani kolegët që thonë se Hashim Thaçi na ka pru krejt mazhorancës në xhep. Mu nuk më fut Hashim Thaçi në xhep, as Fatmir Limaj e as Kadri Veseli”, ka thënë Zeka.
Po ashtu ai ka ironizuar edhe me kërkesën se si të ndalet presidenti Thaçi, duke thënë se mund të ndalet vetëm duke bërë rezolutë kundër Behgjet Pacollit.
“Hashim Thaçin e ndalim veç me bë rezolutë kundër Behgjet Pacollit që po e sjell me aeroplan, duke i thënë mos e kthe më”, është shprehur Zeka.
Pas fjalimit të deputetit Zeka, ka replikuar Glauk Konjufca i Vetëvendosjes , i cili i ka thënë Zekës se e ka ndërgjegjen e pastër pasi askush nuk e quan “hajn”.
“Nëse vetëm një person me kish thënë ‘hajn’, unë nuk kisha mundur të fle i qetë, ndërsa ty të akuzojnë 920 persona se u ke vjedhur para, e vjen këtu në Kuvend mban fjalim. Kjo vetëm tek ne ndodhë”, është shprehur Konjufca.
Ndërsa Zeka ka shpërthyer me fjalë banale kundër Konjufcës. “Gjykata nuk e ka asnjë dëshmitar që unë i kam marrë para dikujt. Nëse vetëm një dëshmitar gjendet, unë jo deputet, por as gazetar më nuk do të jem. Por t’i je një psikopat, i sëmurë mental, hajvan, budallë i madh, gjysmën e deputetëve i ki me aktakuzë.. Keni vjedhë pare për leje të ndërtimit”, ka thënë Zeka.