Konjufca: Edi Shukriu ishte shembulli i gjallë i gruas
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për vdekjen e intelektuales, arkeologes së shquar, shkrimtares dhe ish-deputetes, Edi Shukriu.
Sipas tij, ajo la gjurmë të pashlyeshme në fushën e shkencës, letërsisë, historisë, arkeologjisë, kulturës dhe mendimit politik.
“Edi Shukriu dha kontribut të pazëvendësueshëm në pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Akademikja Shukriu njëkohësisht ishte shembulli i gjallë i gruas së angazhuar e aktiviste me pjesëmarrjen e saj në proceset kyçe nëpër të cilat kaloi populli dhe shoqëria jonë”.
“Trashëgimia që e la pas mbetet për t’u studiuar e kujtuar. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e saj, bashkëpunëtorët, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar”.