Konjufca: Ende s’kemi vendosur për tryezë, dy të parat kanë qenë të kota
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se ende nuk kanë vendosur për tryezën me partitë politike, e cila një herë ishte thirrur nga LDK-ja dhe PDK-ja.
“Ne ende nuk kemi vendosur, ndonëse e patëm një diskutim sot në Kryesi të Vetëvendosjes, por ende nuk e patëm një pajtueshmëri lidhur me mënyrën e organizimit të kësaj tryeze dhe formatin e organizimit të kësaj tryeze. Krejt dilemat që kanë lindur kanë të bëjnë me faktin që vlera e këtyre tryezave u degradua shumë, pasi ato devijuan nga temat qendrore”.
“Janë kot. Tryeza ku ne vetëm barrikadohemi vetëm në prezantimin e qëndrimeve tona të thjeshta se çka mendojmë për Kosovën. Nuk janë në rregull për mendimin tonë. Sepse këto gjëra shumë më mirë i bëjmë në formë të debateve parlamentare. Në formë të interpelancave ku ne ballafaqohemi me pushtetin dhe natyrisht nuk pajtohemi”, është shprehur Konjufca për “Kosovapress”.
Konjufca ka thënë se nëse do ta organizojnë tryezën, temë diskutimi do të jenë zgjedhjet.