Konjufca: Gjuha e urrejtjes mund të vërehet në gjuhë publike, institucione, media e rrjete sociale – duhet luftuar
Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë në konferencën e nivelit të lartë “gjuha e urrejtjes në diskursin publik” se gjuha e urrejtjes është fenomen global që po e sfidon secilin shtet.
Konjufca ka thënë se gjuha e urrejtjes rezulton nga abuzimi me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe është një keqpërdorim i një të drejte ekzistuese, teksa shtoi se si të tillë duhet luftuar.
“Pra, si e tillë, kur ajo e merr formën e urrejtjes dhe vendoset në shërbim të urrejtjes, atëherë kjo është një parapërgatitje dhe lehtësim i krimit dhe në të gjitha ato ngjarje tronditëse të historisë së njerëzimit, jemi përballur drejtpërdrejt me gjuhen e urrejtjes.
“E kemi kuptuar se kur disa institucione, disa individë që përfaqësojnë shtetin ty të shohin dhe të kategorizojnë si nivel të një qenie jonjerëzore, atëherë kjo është parapërgatitje për një mynxyrë e cila nuk ka kufi dhe shkakton tragjedi të mëdha”, ka thënë Konjufca.
Më tutje, ai ka thënë se gjuha e urrejtjes është shumë e sofistikuar, e cila mund të vërehet edhe në nëntekste të ndryshme të gjuhës publike në Kosovë, institucione, media e rrejte sociale.
“Fatkeqësisht në Kosovë na ka ndodhur që gjuhë të urrejtjes kemi zbuluar edhe në librat shkollorë, në institucionet tona të edukimit”, ka thënë Konjufca.