Konjufca: Hapja e 58 shtëpive në veri në ditën e të pagjeturve, jo e rastësishme
Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka reaguar në lidhje me hapjen e 58 shtëpive të reja në veriun e Kosovës.
Sipas tij, hapja e tyre vjen pikërisht në ditën e të pagjeturve, nuk është e rastësishme nga ana e shtetit të Serbisë.
“Përcaktimin e vërtetë të shtetit serb ndaj shqiptarëve dhe Kosovës e tregon më së miri ngjarja e sotme në pjesën e veriut të shtetit tonë. Pikërisht sot, pra në ditën e të pagjeturve, Serbia i hapi 58 shtëpi të reja në pjesën e veriut të Kosovës. Nuk është e rastësishme as data që e ka zgjedhur Serbia. Përmes kësaj tregon që nuk ka asnjë keqardhje a pendesë për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë. Përkundrazi: jo vetëm që e mban të burgosur të vërtetën për të rrëmbyerit, por e vazhdon para hundës së qeverisë tonë kolonizimin e Kosovës”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se një veprim i tillë është kolonizim tipik. “58 shtëpi të koncentruara, në një lagje te vetme, në pjesën më strategjike të pjesës së veriut. Shtëpi të ndërtuara nga qeveria e Vuçiqit aty ku më parë kurrë nuk kishte asnjë shtëpi. Në anën tjetër delegacioni i Kosovës për dialog me Serbinë në Bruksel pranon tema të tilla siç ishte kthimi i serbëve që e kanë lëshuar Kosovën që prej vitit 1976. Në momentin që pranohet për dialog një temë e tillë, automatikisht legjitimohet teza e Akademisë Serbe se shqiptarët paskan ushtruar presion dhe aparteid ndaj serbëve të Kosovës. Përmes këtyre konstrukteve shoveniste Serbia synon ta mbulojë gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve. Asnjë reagim nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Kur ta merr vesh kryeministri Hoti këtë veprim nga mediat, me siguri del edhe e dënon ‘ashpër’. E kjo është dukshëm më pak se që bën një OJQ aktive për këtë çështje”, ka shkruar Konjufca.