Konjufca harron datën e seancës, shtyhet gjykimi për gazin lotsjellës në Kuvend
Për shkak të mungesës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Konjufca akuzohet për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
Në aktakuzë thuhet se në seancën e Kuvendit të Kosovës të datës 10 gusht 2016, në cilësinë e deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimin e deputetëve në sallën plenare.
Mbrojtësja sipas detyrës zyrtare e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, ka njoftuar gjykatën se klienti i tij ka qenë i ftuar gojarisht përmes procesverbalit nga seanca e kaluar për seancën e sotme, andaj atij i ka ikur kjo datë dhe nga kabineti i tij i është thënë se data e sotme nuk figuron në agjendë dhe se Konjufca është në një aktivitet jashtë Prishtinës, andaj është e pamundur që brenda një kohe të shkurtër të jetë prezent.
Në këtë seancë kanë munguar edhe dëshmitarët Pal Lekaj, Sllobodan Petkoviq dhe Valdete Bajrami, ndërsa i pranishëm në cilësinë e dëshmitarit ishte Sabri Hamiti. Sipas fletëkthesës, gjykatësja e rastit Edita Çanta, ka thënë se rezulton se Lekaj e ka pranuar ftesën, kurse për Bajramin ka thënë se ka rezultuar adresa jo e plotë, ndërsa gjykata ka kërkuar përmes policisë të sigurojë adresën e plotë, por nuk ka marrë përgjigje.
Për dëshmitarin Petkoviq, gjykatësja ka thënë se rezulton se njoftimi i është lënë më 13 nëntor, ndërsa raporti i është lënë më 16 nëntor, mirëpo gjykata nuk ka pranuar kopjet e raportit.
Dëshmitari Hamiti, ka kërkuar llogari nga gjykatësja Çanta se pse nuk po përfundon çështja ngase me vite të tëra është duke u endur në gjykatë si dëshmitar. Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë.