Konjufca, Hovenierit për shqetësimin që ngriti dje për dinarin: Sigurojmë se nuk do të ketë turbulenca
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka siguruar se nuk do të ketë tensione vetëm pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë.
Ai i është përgjigjur shqetësimeve të ambasadorit amerikan në Kosovës, Jeffrey Hovenier, ku ka theksuar se nuk do të ketë trazira lidhur me këtë vendim të BQK-së.
“Shqetësimi ishte që mund të ketë turbulenca për shkak të këtij vendimi. Ne i sigurojmë se kjo nuk do të ndodhë dhe që siguria do t’u ofrohet të gjithëve. Situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë”, ka theksuar ai.
Konjufca, ka thënë se shfrytëzimi i dinarit serb në territorin e Kosovës është dashur të ndërpritet menjëherë pas luftës. Kështu ka thënë ai në një prononcim para gazetarëve, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për caktimin e rendit të ditës për seancën e radhës plenare.
“Dinari edhe shfrytëzimi i tij është dashur të ndërpritet kur Serbia është larguar nga Kosova, pas luftës çlirimtare dhe bombardimeve të NATO-s. Por prej vitit 2001, askush nuk ka dyshim që dinari ka qenë gjithmonë ilegal, tjetër gjë që është përdorur në mënyra të ndryshme prej institucioneve paralele që i ka pasur Serbia këtu. Nuk bëhet fjalë vetëm për mjekët dhe mësuesit, por janë financuar edhe shumë persona të rrezikshëm”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, kjo që ka ndodhur tash me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, është vetëm një zbatim i një principi.
“Nëse ju thoni së është dashur t’i mbledhim ndërkombëtarët dhe t’i njoftojmë, kjo është një temë tjetër, ka mundur të ndodhë, por kjo është konsideruar një çështje që nuk do të shkaktojë probleme dhe turbulenca për shkak se ligji është i shkruar dhe dihen rregullat”, ka thënë kryetari i Kuvendit.
Ai ka theksuar se BQK-ja është institucion i pavarur dhe se Qeveria e Kosovës nuk mund t’i fus duart në çështjet që i përkasin këtij institucioni.
“Nëse qeveria do të fuste duart brutalisht, atëherë do t’i humbej pavarësia BQK-së. Qeveria nuk e ka atë kompetencë, prandaj pikërisht për këtë arsye mendoj se nuk do të ketë sanksione ndërkombëtare për këtë çështje. Vërejtjet nuk kanë lidhje me ligjshmëri, është vetëm mungesa e një afati për konsultime paraprake ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar”, është shprehur Konjufca.