Konjufca i bën thirrje Serbisë ta lirojë Nezir Mehmetajn

05 janar 2020 | 23:17

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se me shqetësim e ka marrë lajmin për arrestimin e qytetarit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, i cili po kthehej nga Serbia ku kishte qenë në spital për nevojat shëndetësore të nënës së tij.

“Kjo është padrejtësi. Serbia po arreston në mënyrë arbitrare, cilin t’i teket, nga qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë nëpër atë vend nga halli, jo nga qejfi. Me këto gjeste Serbia po na tregon se nuk ka ndryshuar ende mentalitetin politik sa i përket Kosovës e shqiptarëve, të cilët i trajton dhunshëm e me arbitraritet, sikur të jenë njerëz të dorës së dytë”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

Me shqetësim morëm lajmin për arrestimin e qytetarit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, i cili po kthehej nga Serbia ku kishte qenë në spital për nevojat shëndetësore të nënës së tij. Dje pati disa reagime nga institucione e subjekte politike të Kosovës, dhe nga shumë qytetarë, që kërkuan lirimin e z. Mehmetaj. Por në vend të lirimit, sot morëm vesh se gjykatat e Serbisë kanë vendosur ta mbajnë edhe 30 ditë.

Kjo është padrejtësi. Serbia po arreston në mënyrë arbitrare, cilin t’i teket, nga qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë nëpër atë vend nga halli, jo nga qejfi. Me këto gjeste Serbia po na tregon se nuk ka ndryshuar ende mentalitetin politik sa i përket Kosovës e shqiptarëve, të cilët i trajton dhunshëm e me arbitraritet, sikur të jenë njerëz të dorës së dytë.

Sjellje të tilla që targetojnë një etni e një vend fqinj nuk premtojnë aspak mirë për të ardhmen. I bëjmë thirrje Serbisë ta lejojë z. Nezir Mehmetaj të kthehet pranë vatrës e familjes së tij, dhe ta ndryshojë qasjen që ka ndaj Kosovës e qytetarëve të saj. Jemi në shek. XXI e këto sjellje duhet t’i ndalni megjithatë, edhe pse s’kanë kaluar ende as dy dekada prej masakrave gjenocidale që bëtë kundër nesh!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në orët e para të mbrëmjes së sotme një 27-vjecare…