
Konjufca ka lënë takim për nesër me kryetarët e partive
Kryetarët e partive politike janë ftuar të shkojnë nesër (e martë) në një takim në Kuvend me Glauk Konjufcën për të diskutuar për përgatitjet për seancën konstituive të 15 prillit.
Glauk Konjufca, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, nesër (e martë) në drekë do t’i presë në takim kryetarët e subjekteve politike.
Të enjten e javës së kaluar, Kuvendi ka njoftuar për këtë takim, i cili do të mbahet në drekë, një javë para seancës konstituive të Kuvendit.
Një pikë e vetme është në rendin e ditës: “Përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani. Po atë ditë, LV-ja synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.
Duke kërkuar formimin e qeverisë “sa më parë që të jetë e mundur”, presidentja konsideron se deri më 15 prill “ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë diskutimet e nevojshme”.
Ajo ka uruar që “ai proces të shkojë sa më mirë që është e mundshme dhe që konstituimi të kryhet po me atë datë”.
LV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit – që nënkupton se asaj do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma). Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.