Konjufca kërkon dorëheqjen e Hotit
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se 6 tetori i vitit të kaluar solli një revolucion demokratik në Kosovë, por se ky vullnet qytetar që çoi në opozitë partitë e pozitës deri atëherë është shkelur kur ishte formuar qeveria e Avdullah Hotit.
Por, sipas tij kjo shkelje përfundon nëse Hoti do të ndërmerrte një veprim, atë të dorëheqjes.
“Avdullah Hoti e ka një shans të shkëlqyeshme t’i ndihmojë Kosovës, të jep dorëheqje dhe t’ia lëshojë vendin vullnetit të lirë të qytetarëve sepse nuk mundet me u vjedhë dhe s’mund të ndërtosh një qeveri që s’e kanë votuar qytetarët”.
“Populli i Kosovës përmes votës së lirë i vendosi partitë e PAN-it në pozitat 3, 4 dhe 6 dhe i zhvendosi totalisht jashtë peshës së vërtetë politike. Ndryshimet ndodhën përmes zgjedhjes së Qeverisë Kurti, por menjëherë erdhën në shprehje interesat e përbashkëta të PAN-it me LDK-në dhe erdhi në krye të Kosovës duke shkelë dhe devijuar vullnetin e popullit një qeverisje me në krye Avdullah Hotin pa kurrfarë legjitimiteti”, ka thënë Konjufca në një konferencë për medie.
Më tutje, Konjufca se kjo qeveri nuk ka pasur plan serioz të ballafaqimit me Covid-19.
Ndërsa ish- ministrja e Drejtësisë nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se një vit më parë qytetarët kanë votuar për ndryshime rrënjësore.
Ajo ka thënë se më 6 tetor të vitit 2019, qytetarët i dhanë fund keqqeverisjes, ku Vetëvendosje kishte dalë partia e parë.
“Sot janë bërë 1 vjet nga zgjedhjet e 6 tetorit. Vullneti i qytetarëve ishte i qartë. Më 6 tetor qytetarët votuan për t’i dhënë fund epokës së keqqeverisjes dhe korrupsionit. E vjetra zhvatëse kishte rënë. Qytetarët votuan lëvizjen si subjekti i parë në vend, ku Albin Kurti mori vota më së shumti. Në këto zgjedhje Lëvizja doli me 29 deputetë ku të gjitha gratë deputet hynë në Kuvend”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se gjatë 4 muajve në qeveri kanë dëshmuar se në Kosovë është e mundur të qeveriset ndershëm. “Ishte qeveria që ishte në fokus për të mirën e përbashkët”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr vija të kuqe për subjektet që kemi deklaruar se kemi vija të kuqe. Këtu është PDK-ja. Ju e dini që në vazhdimësi kemi thënë se nuk bëjmë koalicion me PDK-në. Në sondazhet e fundit kemi mbështetjen e qytetarëve mbi 50 për qind”, ka thënë Haxhiu.