Konjufca kërkon nga politikanët dhe profesorët t’i studiojnë veprat e Ukshin Hotit
Në 22-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, të dielën në fshatin e tij të lindjes është mbajtur një tubim ku është kërkuar zbardhja e fatit të tij dhe të zhdukurve tjerë në luftën e fundit në Kosovë.
Para të pranishmëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se politikanët, përfaqësuesit institucional, profesorët e shkencave sociale humane dhe të shkencave politike dhe juridike, duhet t’i studiojnë veprat e Ukshin Hotit, shkruan “Epoka e re”.
Konjufca ka propozuar që Ukshin Hoti të bëhet pjesë e korrikulumit të universiteteve dhe shkollave të Kosovës.
“Ukshin Hoti nuk ka qenë një intelektual i mbyllur i zyrave. Ai ka qenë intelektual, i cili e ka ndarë fatin me popullin e vet në kohët më të vështira. Ai ka kaluar nëpër të gjitha rrugët e mundshme prej viteve të shtatëdhjeta nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar. Ky është patrioti i vërtetë, ky është intelektuali i vërtetë që nuk i bën bisht fatit, por i cili është aty pikërisht ku është populli i vet”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se Ukshin Hoti gjatë burgut ka përjetuar torturat më çnjerëzore nga regjimi serb.
“Në vitin 1999, më 16 maj kur forcat e Serbisë e rrëmbyen dhe e zhduken me dhunë patriotin tonë të madh dhe të shquar Ukshin Hoti dhe prej atëherë fare pak dihet dhe fare pak është treguar se çka ka ndodhur në të vërtetë. Ajo që dihet fare saktë është që shteti i Serbisë është fajtor për atë që ka ndodhur”, është shprehur Konjufca.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti u janë drejtuar edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, si dhe shokët e tij.