Konjufca kërkon përgjegjësi për rastin e Astrit Deharit
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se tema që lidhet me rastin e vdekjes së Astrit Deharit ka të bëjë drejtpërdrejt me shkeljen e të drejtave të njeriut.
Sipas Konjufcës në rastin Dehari janë shkelur të drejtat për jetë, e drejta për të mos u keqtrajtuar, e drejta për gjykim të pavarur dhe e drejta në respektimin e privatësisë.
“Janë shkelë të drejta të parapara me Konventën Evropiane për të Drejta të Njeriut. Meqë aplikueshmëria e saj është e drejtpërdrejt, në këtë rast është shkelë Kushtetuta e Kosovës. Vdekja e Astrit Deharit është shkelje kushtetuese dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi”, është shprehur Konjufca gjatë interpelancës së kryeministrit Haradinaj për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, raporton “Klan Kosova”.
Konjufca ka thënë se nuk janë ndërmarrë masa ndaj asnjë personi të përfshirë në këtë rast, duke përmendur këtu komandantin e Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqi dhe kryeprokurorin Sylë Hoxha.