Konjufca kërkon përkrahjen e Kroacisë për anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të martën në takim ambasadoren e Kroacisë në Prishtinë, Danijela Barishiq, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në vend e rajon, bashkëpunimin midis dy shteteve mike dhe mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi.
Konjufca i ka vlerësuar lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Kosovës dhe Kroacisë, duke konsideruar se ka ende hapësira për rritjen dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme, të cilat duhet të shfrytëzohen në të ardhmen.
Ai e ka konsideruar të rëndësishme përvojën parlamentare kroate dhe sidomos atë të integrimit evropian, të cilat, siç ka thënë ai, mund t’i shërbejnë Kosovës si model në procesin e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare.
Më tutje, Konjufca ka theksuar nevojën që Kroacia të vazhdojë të jetë përkrahëse e Kosovës në institucioneve ndërkombëtare, në të cilat vendi ynë aspiron të anëtarësohet.
Ndërsa ambasadorja kroate, Barishiq, pasi ka uruar kryetarin Konjufca për detyrën e re, ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj për t’i ofruar Kosovës përvojën në rrugën e integrimit, duke garantuar gjithashtu mbështetjen e Zagrebit zyrtar për Prishtinën në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë.
Ajo e ka informuar kryetarin Konjufca për përparësitë e presidencës së Këshillit të BE-së nga Kroacia.
“Nën moton: ‘Një Evropë e fortë në një botë sfiduese’, Kroacia do të trajtojë katër përparësi: një Evropë në zhvillim, një Evropë që lidh, një Evropë që mbron dhe një Evropë me ndikim”, ka thënë Barishiqi.
Diplomatja kroate ka theksuar se Kroacia do të organizojë një samit të vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Zagreb në maj të këtij viti dhe ka shprehur besimin se samiti do të ishte një shtysë për vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
/Epoka e re/