Konjufca: Kosova e përkushtuar për paqe dhe integrim në institucionet evropiane
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për paqe dhe me synim integrimin në institucionet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare.
Ai këto komente i ka bërë gjatë takimit njoftues me shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano.
“Kryetari i Kuvendit po ashtu u shpreh se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për paqe, shtet ligjor, siguri dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj, si dhe për zhvillim të mëtejmë të karakterit të patjetërsueshëm demokratik të shtetit tonë që synon integrim në institucionet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.
Ndërsa Barbano, duke e falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, ka rikonfirmuar gatishmërinë e misionit të EULEX-it për bashkëpunim të ndërsjellë brenda mandatit të këtij misioni.